“South outdoor festival”

10/04/2017 00:00

“South Outdoor Festival” do të kthejë në kryeqendrën e Shqipërisë për tre ditë Pilurin, por edhe Himarën, Dhërmiun e zonat jugore përreth tij.

Nga data 29 prill deri më 1 maj festivali, i pari ne llojin e tij, do të përfshijë aktivitete të ndryshme sportive si: ecje apo çiklizëm malor, ngjitje, parashutizëm, zhytje në det, e deri tek “yoga”.

Qëllimi i kësaj nisme të qeverisë gjermane, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë e Turizmit si edhe ajo e Energjetikës, synon të rrisë të ardhurat përmes turizmit e kulturës duke i paraprirë sezonit turistik veror.

 “Programi synon të sjellë një perspektivë ekonomike për zonat rurale, në këtë rast për zonat në jug. E nisim nga turizmi, sepse është një fushë që ka shumë potencial. E dimë se ka shumë turistë në jug gjatë verës, por këta turistë janë të fokusuar tek plazhi. Me këtë festival duam të prezantojmë më shumë aktivitete: si ngjitje në mal, parashutizëm etj. Do të ketë padyshim edhe muzikë, t’i japim atmosferën e vërtetë të një festivali”, shprehet Hans-Jurgen Cassens, Drejtor Rajonal, GIZ.

Promovimi i Rajonit Jugor do të përqendrohet edhe në vlerat e trashëgimisë kulturore, pasi pjesë e festivalit do të jenë edhe grupet izopolifonike të zonës, pjesë e trashëgimisë botërore.

“Do të prezantojmë fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimisë kulturore. Kemi punuar edhe me grupin polifonik të Pilurit, të cilët do të jenë prezentë. Kombinimi i aktiviteteve outdoor me kulturën e traditën mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut e shpresoj që festivali të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”, tha Cassens.

Krahas aktiviteteve sportive vëmendje do të marrë panairi i produkteve artizanale, ndërsa gjatë 3 ditëve të festivalit do të ofrohet ushqim tradicional i zonës, për t’i shtuar jugut krahas bukurive natyrore edhe vlerat e kulinarisë.

Top Channel