Tradita dibrane. Panairi për artizanët në Pazarin e Ri

08/04/2017 00:00

Tradita matiane dhe ajo dibrane në art, kulturë e kulinari pushtoi këtë fundjavë Pazarin e Ri të Tiranës.

Në panairin e çelur, artizanë nga Dibra dhe Mati, por edhe zonat përreth prezantuan punimet e tyre tradicionale, zanate të cilat i trashëgojnë brez pas brezi.

Mariglen Gjura pasionin për qeramikën e ka zhvilluar për disa vite në Greqi, ku mësoi edhe një teknikë më moderne për të përsosur atë tradicionale, të cilën gjyshi ia mësoi që në fëmijëri.

“Kishim një gjysh që ishte artizan i vjetër. Ai vdiq dhe bashkë me të vdiq pothuajse edhe qeramika në Peshkopi. Tani erdha unë si poçar i ri. Poçaria, të cilës ne i themi vorbe, është tardicionale për Peshkopinë. Bëjmë vorbe për fërgesë, por edhe arka kursimi, që të kursejmë sepse jemi në ditë krize”, thotë Gjura.

Krahas punimeve të dorës dhe atyre të poçarisë, Dibra njihet edhe për gatimet tradicionale, veçanërisht jufkat, që e dallojne atë nga zonat e tjera të Shqipërisë, me të cilat mund të krenohemi jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe përtej tyre.

“Bërjen e jufkave ka 12 vjet që e kam filluar si aktivitet. E bëja me dorë në fillim, punoja rreth 50 kg miell në dit. Është traditë e vjetër e Dibrës nga gjyshet tona, kryesisht merrem me gatime tradicionale si bakllava, sheqerpare, etj. Kam qenë 2 vite në Panair në Torino. Kulturën dibrane e kemi, kemi edhe pastërtinë e Dibrës. Jemi nikoqire. Jam shumë krenare”, thotë një artizane.

Aktiviteti “Ditët Dibrane e e Matjane në Tiranë” do të vijojë edhe të dielën në sheshin Kreativ të Pazarit të Ri në kryeqytet.

Top Channel