Të sjellësh apo jo në jetë një fëmijë në një kohë kur veç problemeve financiare ajo që shqetëson të rinjtë sot më së shumti është edhe pasiguria për jetën e shëndetshme.

Është kjo dilema që ngre pjesa “Frymëmarrje”, shkruar nga Duncan MacMillian dhe vënë premierë në skenën e Teatrit të Kukullave.

Aktorët Erdit Asllanaj dhe Linda Jarani mishërojnë dy të rinj ekologjistë, të cilët përpiqen të shpëtojnë planetin në furnizimin me ajër të brezave të ardhshëm, duke u stepur para dëshirës së prindërimit.

“Është një vepër që ngre probleme shumë esenciale të vjetërsisë së popullsisë, të sjelljes apo të mossjelljes së një njeriu në jetë. Ky është thelbi. Mendoj që vepra, për natyrën që ka i flet një targeti, përgjithësisht gjeneratave të reja, atyre çifteve të rinj, të cilët janë në prag të prindërimit e përballja e tyre me pasigurinë financiare, pasigurinë ekologjike dhe mënyra se si është shkruar, duke thënë gjëra që duheshin thënë mendoj se e bën veprën shumë të prekshme për publikun”, thotë regjisori Adonis Filipi.

Sipas tij, këto lloj dilemash janë shumë të prekshme në vepër.

“Është më bukur kur flet përmes asaj që ndodh në skenë dhe unë i ftoj spektatorët që kanë një shans shumë interesant për të parë përmes dashurisë së dy të rinjve se si ndërthuret jeta ekonomike, shpirtërore me atë ekologjike”, thotë Filipi. Për 5 të diela radhazi, ky çift do të ndajë problemet e tij me publikun, në sallën e Teatrit të Kukullave.

Top Channel