Mbyllet ekspozita e kryeveprave italiane

04/04/2017 00:00

Ka zgjatur plot 77 ditë ‘pushtimi i bukur’ i artit italian. Rreth 100 kuadro të 1900-s janë ekspozuar që prej 15 janarit në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku edhe janë vizituar nga 54 mijë vizitorë nga e gjithë Shqipëria.

2 prilli ishte data e fundit e ekspozimit të kryeveprave italiane në Shqipëri. Stafi organizator u kujdes që gjithçka të shkojë siç duhet, duke ardhur personalisht në Tiranë për të ndjekur çdo hap të mbylljes së ekspozitës, njësoj si në çeljen e saj.

Paketimi i veprave ka nisur nën survejimin e specialistëve nën masa të rrepta sigurie. Tashmë që misioni i tyre në Shqipëri përfundoi me sukses, kryeveprat do të kthehen në muzeun e tyre të origjinës, në Itali.

“Shifra është një rekord historik në Shqipëri. Janë 54 mijë vizitorë duke përfshirë janarin dhe shkurtin, dy muaj shumë të ftohtë me një mesatare prej 700 vizitorësh në ditë. Është një shifër e jashtëzakoshme po të mendosh që mesatarja e Galerisë Kombëtare të Arteve nuk i kalon të 100 vizitorët në muaj”, thotë Artan Gaci, deputet i PS.
 
Kultura si rrallëherë eklipsoi politikën gjatë stinës së dimrit, ku pavarësisht zhvillimeve, kryeveprat morën vëmendjen e publikut më shumë sesa ngjarjet politike.

“Mendoj që sukses më të madh është e pamundur që të prisje. Për herë të parë në një ekspozitë në një periudhë si kjo, ku veç dimrit, edhe situata e çadrës e çorientoi pak publikun dhe i mori vëmendjen e jetës normale, si gjithmonë politika. Ndjeshmëria ka qenë e madhe. Vizitorët kanë qenë nga e gjithë Shqipëria. Në mënyrë të organizuar ose jo, kanë ardhur nga Malësia e Madhe, nga Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça”, thotë Gaci.

Pasi faza e parë kaloi me sukses, në fillim vjeshte, i ftuari special në GKA do të jetë Pablo Pikaso me pikturat e tij.

“Nga rezultati i kësaj ekspozite në kemi krijuar sigurinë dhe pothuajse e kemi mbyllur me grupin “Arthemisia” dhe muzeun Pikaso që në shtator për herë të parë në Shqipëri e në Ballkan të hapet një ekspozitë me kryeveprat e gjigantit të artit pamor që është Pablo Pikaso”, thotë Gaci.

Top Channel