Një përkujtim për pesë mendje të bukura, si Ollga Pëllumbi, Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Prela, Afërdita Asllani, gazetaret që fillimisht shkruan me pseudonime e që lëvruan idetë feministe në bashkëkohësi me ato europiane. Kështu nisi një debat në Qendrën për Hapje dhe Dialog.

“Ende sot, sfidën e një personi me integritet, qoftë burrë, qoftë grua nuk e duron dot një person që ka autoritarizëm”, deklaroi deputetja Mesila Doda.

“Ne menduan që ta fillojmë me një viktimë të atij sistemi dhe rasti më i gjetur ishte ai i Musine Kokalarit”, tha Mareglen Kasmi, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit.

Ky takim preku marrëdhënien komplekse të shqiptarëve me historinë.

“Çfarë modeli do të sjellim ne nga e kaluara, kur ne akoma kemi Hero të Popullit Enver Hoxhën?!”, tha deputetja Doda.

“Nëse vijnë një numër prej 2 mijë personash për verifikim, sigurisht që kjo kërkon punë, por ama ne deri tani jemi përballur me këtë sfidë dhe kemi bërë verifikime, jo pak”, shtoi Kasmi.
Mendësi, zgjedhje, fate njerëzish apo rrëfime personale përcollën këtë trashëgimi të të kaluarës politike dhe ndikimin në të sotmen dhe çështja më e diskutuar mbeti hapja e dosjeve.

Ndërsa për Vera Bekteshin, njerëzit që kaluan kompetencat e raportimit duhet të pajtohen me këtë përballje.

“Hapja e dosjeve tek ne nuk merr modelin gjerman. Një shoqja ime e rritur që në fëmijëri, në fund të raportimit të saj kishte shkruar; Vera Bekteshi, Guxim Bekteshi dhe Skënder Bekteshi janë armiq të betuar të partisë dhe popullit. Kush ja linte asaj tagrin të thoshte këtë?”, tha shkrimtarja Vera Bekteshi.

Top Channel