Bujar Kapexhiu është frymëzuar nga një gjeneral, i cili u lirua nga detyra vetëm pse udhëtonte shpesh jashtë shtetit. Ai shkroi pjesën “General & Playboy” dhe vendosi gjithçka mes së shkuarës së diktaturës dhe së sotmes.

Pothuajse ndonjë gjë e madhe politikisht, sipas tij nuk ka ndryshuar. Vetëm se e reja ka triumfuar mbi të vjetrën dhe gjenerali i rreptë, dikur shndërrohet në shpërndarës të revistës erotike “Playboy”, të botuar nga nipi i gruas së tij.

Ky teatër realist do të vijë premierë prej 29 marsit në Teatrin e Metropolit.

“Kam menduar në diktaturë ato që ishin sot. Ka edhe nuanca politike, disa batuta të përgjithshme”, shprehet Bujar Kapexhiu, autor/regjisor i “General & Playboy”.

Në role spikasin Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Suela Konjari, Xhevair Zeneli, Muharrem Hoxha etj.

“Kisha shumë dëshirë të luaja me Bujar Asqeriun dhe me Xhevën, me Natashën dhe me këta të rinjtë”, tha Muharrem Hoxha, aktor.

“Vepra është me pretendime artistike shumë serioze”, u shpreh Bujar Asqeriu, aktor.

“Kur nuk qajmë dot duhet të qeshim”, shprehet Suela Konjari, aktore.

Dy ushtarakë me nivele të ndryshme arsimore, një biznesmen i ardhur nga provinca, një mësuese e gjuhës angleze dhe njëkohësisht modele joshëse për “Playboy”, një revistë që u përpoq të shuajë urinë seksuale të fillimviteve ’90.

Kapexhiu premton një komedi me skena tërheqëse, psikologji, mentalitet dhe pasione.

Top Channel