Shtetasi izraelit mbetet në Tiranë; skanoi biznesin e një politikani

25/03/2017 00:00

Shtetasi izraelit Yoram Frig, i cili u ndalua ditën e premte në aeroportin e Rinasit me një pajisje të sofistikuar për lokalizmin e përgjuesve ambientalë, ka treguar se ishte thirrur në Shqipëri nga një politikan i njohur.

Gjatë deklarimeve të dhëna mbrëmjen e së premtes përpara prokurorit, Frig ka treguar se kishte ardhur me porosi të politikanit, i cili ka edhe një biznes.

Sipas dëshmisë së Frig, politikani në fjalë dyshonte se i ishin vënë përgjues në ambientet e biznesit të tij dhe për këtë arsye kishte skanuar të gjitha ambientet e biznesit.

Pas kësaj dëshmie, prokuroria i ka bllokuar pasaportën izraelitit, si dhe pajisjen, duke e lëne të lirë të akomoduar në një hotel në Tiranë.

Përveç verifikimeve të pajisjes, nëse është vetëm skanuese e përgjuesve apo mund të kryejë edhe përgjime, prokuroria do të verifikojë edhe nëse një pajisje e tillë ka nevojë për leje të posaçme apo për deklarim në doganë.

Gjithashtu do të merret një deklarim edhe nga politikani që kishte kërkuar shërbimet e izraelitit. Derisa të kryhen verifikimet në fjalë, Yoram Frig nuk do të lejohet të lëvize nga Tirana. Ai u ndalua ditën e premte në aeroportin e Rinasit teksa po largohej nga vendi ynë.

Top Channel