Arrestimi i 4 policëve, nuk skanuan kamionin me 8 tonë kanabis

25/03/2017 00:00

Arrestimi i katër punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës, si të dyshuar në trafikimin e 8 tonëve kanabis sativa drejt Italisë në shkurt të këtij viti, është bërë kryesisht në bazë të provave filmike.

Top Channel ka mësuar nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda se nga këqyrja e kamerave të sigurisë, duken qartë lëvizjet e punonjësve të arrestuar si dhe komunikimet me drejtuesin e kamionit, një shtetas maqedonas.

Organi i akuzës thotë se një polic ka hyrë në kamion, ndërsa kur kaloi në peshim ata komunikuan me shoferin dhe shmangen procedurën e skanimit.

Duke qenë se kamioni ishte deklaruar tranzit në vendin tonë, ai nuk është kontrolluar më në dalje në Portin e Durrësit duke kaluar lehtësisht ngarkesën e 8 tonëve kanabis sativa në Itali.

Veprimet e policëve të arrestuar ngrenë dyshime të forta se e kanë ditur ngarkesën e drogës në kamion. Burime pranë prokurorisë pohojnë se nuk kanë të dhëna që autoritetet shqiptare të ishin në dijeni nga homologët italianë për një kalim të kamionit në kuadër të një ndjekje apo dorëzimi të kontrolluar.

Përtej Adriatikut, autoritetet italiane kanë dyshuar mbi ngarkesën e kamionit dhe janë vënë në ndjekje të tij, duke e ndaluar në momentin kur shoferi tentoi të linte rimorkion në një pikë karburanti.

Ndërkohë, origjina e lëndës narkotike dyshohet të jetë shqiptare dhe mendohet se ka kaluar kufirin drejt Maqedonisë për t’u ngarkuar më pas në kamion.

Top Channel