Në Zagori, një prej krahinave më të thella të qarkut të Gjirokastrës, 400 banorët e mbetur jetojnë në shtëpi 2-katëshe ndërtuar me gur të zi dhe stil origjinal gjatë fillimit të shekullit të kaluar.

Fshatrat e vegjël që mbështeten në shpate malesh rrethohen nga bukuri të rralla natyrore, kisha dhe ura guri mesjetare. Katerina Telo menaxhon një njësi të vogël shërbimi në Hoshtevë pranë kishës mesjetare të Apostujve, Shën Palit dhe Pjetrit.

“Vijnë vizitorë nga Europa, por edhe nga Amerika dhe Kanadaja. Vijnë në këmbë, nga Përmeti. Kemi shumë nevojë për mbështetje”, thotë Telo.
 
Në Hoshtevë tani jetojnë vetëm 20 banorë. Shkolla e fundit në këtë zonë u mbyll gati 6 vite më parë dhe në fshat nuk ka gjallëri. Petraq Floku, i cili vjen shpesh nga Tirana për të vizituar të afërm të tij, thotë se për të ardhur në fshat nga Gjirokastra atij iu deshën më shumë se 2 orë.
 
“Të vish nga Tirana është shumë e vështirë. Rruga është pothuajse e pakalueshme”, tregon Floku.
 
400 banorë në Zagori të Gjirokastrës vuajnë ende mungesa bazë në infrastrukturë rrugore, ujësjellës, rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, ndërsa nuk ka asnjë plan për menaxhimin e mbetjeve dhe organizimin urban. Zona përshkohet çdo vit nga qindra turistë të aventurës, që zgjedhin të eksplorojnë vetë shtigjet ende të papromovuara, të panjohura dhe të pambështetura me shërbime të Zagorisë.

Top Channel