Thaçi: Partnerët janë kundër metodologjisë, ngurrojnë të bindin serbët

20/03/2017 00:00

Në hapjen e konferencës së mbajtur në kuadër të Javës së Gruas, presidenti Hashim Thaçi nuk ka harruar të përmendë, veç temës në fjalë, edhe atë të transformimit të FSK-së në ushtri.

Sipas tij, krijimi i ushtrisë, miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe integrimi i Kosovës në BE janë tejet të domosdoshme.

Edhe pse në prani të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, që e ka kundërshtuar formimin e ushtrisë përmes nismave ligjore, Thaçi tha se “miqtë e Kosovës nuk janë kundër ushtrisë, por kanë vërejtje për metodologjinë e formimit të saj”.

Delawie, nga ana e tij, nuk ka folur për këtë temë, por ka theksuar se avancimi i rolit të gruas në shoqëri ka rëndësi për integrimin e Kosovës, pasi gratë duhet të jenë një zë i fuqishëm në të gjitha proceset politike dhe ekonomike.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë për “Zërin”, Thaçi është shprehur më herët se është Beogradi që po e mban peng Kosovën, ndërsa për bashkësinë ndërkombëtare tha se është e pajustifikueshme që ngurron t’i bindë serbët e Kosovës për ndryshimin e mandatit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese.

Top Channel