Eric Duquenne ka shërbyer si shef kuzhine për 14 vite në pallatin presidencial francez. Pikërisht sot, kur stafi presidencial në Pallatin “Elysee” është vënë në punë për të zgjedhur shefin e ri të kuzhinës përmes një konkursi, Duquenne ka vizituar për herë të parë Tiranën, duke zbuluar edhe disa nga tekat e presidentëve francezë në kuzhinë.

“Nuk mund të them se janë kapriçozë në shijet e tyre, por po ju zbuloj se zoti Sarkozy donte gjithnjë një pjatë ëmbëlsirë me bazë çokollate, çdo ditë në menynë e tij. Ndërsa presidenti Hollande nuk ka një pjatë të veçantë, ai preferon më shumë frutat”, tha Eric Duquenne, shef kuzhine në pallatin presidencial “Elysee”, Francë.

Ndonëse ndodhet vetëm prej pak orësh në Shqipëri, Duquenne nuk ka humbur kohë në eksplorimin e kuzhinës shqiptare.

“Kemi zbuluar disa lloje aperitivësh në Shqipëri, produkte lokale si pispilia me miell misri e djathë, që më ka bërë më shumë përshtypje. Që është vërtet shumë e mirë, një gatim që ne francezët nuk e njohim. Vizituam edhe ‘Pazarin e ri’ në Tiranë dhe pamë se produktet që tregtohen aty janë shumë të mira e të shëndetshme”, tha më tej Duquenne.

Ai do të sjellë shijen franceze përmes gatimeve mbrëmjen e së martës.

“Do të përgatis një pjatë peshku, pasi duke qenë në Mesdhe, mendova të sjell një pjatë mesdhetare me bazë peshku, duke i shtuar sa më shumë shije. Do të përpiqem të përziej kuzhinën mesdhetare me gastronominë franceze, por do të punoj edhe me produkte lokale, si për shembull një lloj djathi dhie, të cilin një francez e prodhon në Shqipëri”, deklaroi Duquenne.

Duquenne do të gatuajë mbrëmjen e së martës për të ftuar të veçantë, në darkën e organizuar në kuadër të “Pranverës frankofone”.

Top Channel