Basha: Zgjedhje pa PD nuk do ketë; kreu i opozitës, vizitë në SHBA

20/03/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur qëndrimit të shprehur nga kryeministri Rama, se PS mund të shkojë edhe e vetme në zgjedhje.

Në një reagim të orëve të fundit, ku akuzon lidershipin socialist për mbivendosje të pushtetit të karrikes mbi vullnetin e popullit, Basha thekson se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.

“Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karriken e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre. Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, opozita nuk ka asnjë ngut dhe asnjë mëdyshje në qendresën e saj, se zgjedhje të ndikuara apo të kontrolluara nga krimi nuk do të ketë.

“Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Situata është e qartë dhe e thjeshtë: ne jemi me popullin, ata janë me krimin. Vetëm njerëzit me gjendje jo të kthjellët psiqike nuk e kuptojnë dot se cili do të jetë rezultati i kësaj përballjeje”, ka thënë Basha.

Ndërkohë, ditën e martë kryetari i PD do të niset të martën për një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Kjo është hera e parë që ai del jashtë vendit pas nisjes së protestës pa ndalim të opozitës.

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se vizita e kryetarit Basha në Uashington synon të gjejë mbështetje për kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, që do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Deri tani është ende e paqartë axhenda e takimeve të kreut të opozitës, nëse do të ketë takime vetëm në Kongres, apo edhe në Departamentin e Shtetit.

Lulzim Basha pritet të kthehet nga fundi i marsit në Tiranë, sepse më 27 të këtij muaji do të jetë në Maltë për takimin e Partisë Popullore Europiane.

Top Channel