Arrestohet shqiptari në Prevezë, u kap me 49 kg kanabis

20/03/2017 00:00

Një shtetas shqiptar 44 vjeç është arrestuar prej autoriteteve greke në vendin e quajtur Mesopotam, pak kilometra larg Prevezës.

Sipas komunikatës për shtyp të policisë së Prevezës, 44-vjeçari udhëtonte me automjetin e tij në aksin që lidh Janinën me Athinën, kur iu dha sinjal të ndalonte, por i dyshuari shtoi shpejtësinë e tentoi të shkarkonte pak më tej dy çanta me kanabis, të cilat u gjetën prej policëve që e ndiqnin.

Pak kilometra më tej, policia mundi të bllokojë automjetin e 44-vjeçarit, duke e arrestuar në flagrancë.

Prej verifikimit rezultoi se, në dy çantat që po transportonte ndodheshin 49 kilogramë kanabis të paketuara, si dhe shuma prej 1.500 eurosh “cash”.

44-vjeçari deklaroi se drogën e kishte marrë në kufirin me Shqipërinë prej një shtetasi shqiptar, emrin i të cilit nuk bëhet publik, dhe do ta shiste atë në Athinë.

Lënda narkotike dhe automjeti i përdorur për trafikimin e saj u sekuestruan. Ai do të dërgohet në gjykatë për masën e sigurisë mesditën e sotme.

Top Channel