Griezmann shuan zërat e merkatos: Do të mbetem në Madrid

19/03/2017 00:00

Pavarësisht ofertave të majme dhe këmbënguljes së vazhdueshme, sidomos nga Manchester United, Antoine Griezmann e ka shtuar besimin e tifozëve se do të mbetet tek Atletico Madrid, të paktën edhe për një sezon.

Sulmuesi shtatshkurtër francez, që shkëlqeu në “Euro 2016” me kombëtaren e “gjelave”, është në listën prioritare të “djajve të kuq”për merkaton e pas 3 muajve, por vet protagonisti e nxori veten jashtë lojës së merkatos.

Antoine Griezmann këmbëngul se nuk do të largohet këtë verë nga “Vicente Calderon”.

“Siç e kam thënë shumë herë më parë, unë kam një kontratë të vlefshme me Atleticon. Unë dhe familja ime jemi të lumtur këtu. Së pari, për t’u larguar klubi duhet të vendosë nëse dëshiron të më shesë mua apo jo. Unë jam i lumtur në fushë dhe përpiqem të jap më të mirën për tifozët”, ka theksuar Griezmann.

Por shumë media sportive mendojnë se kjo është një manovër e vet lojtarit për të përmirësuar kushtet e kontratës që i ofrojnë pretendentët, e si rrjedhojë edhe më tepër fitime për “Los Colchoneros” në Madrid.

Top Channel