Veliaj: Mos braktisni prindërit!

16/03/2017 10:35

I pranishëm në Forumin e Pensionistëve, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, theksoi faktin se kjo pjesë e popullatës ndihet më mirë sot falë vëmendjes së solidaritetit të treguar nga institucionet, por duhet luftuar mentaliteti i braktisjes.

“E gjithë puna që duhet bërë, është këtu. Ne nuk mund të braktisim prindër e gjyshër e t’ia lëmë në dorë Caritas-it apo institucioneve”, tha Veliaj.

“Tirana rritet çdo ditë dhe ne nuk mund ta frenojmë për sa kohë që mbetet qyteti që gjeneron 50% të PBB-së dhe mundëson 60% të punësimit total. Por, para këtij fluksi, lind nevoja e planifikimit social, që kurrsesi nuk mund të funksionojë i vetëm”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku kishte dhe një apel për të gjithë ata që jetojnë jashtë shtetit: “Sot vlen një thirrje për këdo që na ndjek. Ju që jetoni jashtë, mos i lini të moshuarit në dorë të shoqatave të Caritas-it apo shërbimeve sociale të bashkisë”.

Bashkia u ka ardhur pranë pensionistëve dhe shtresave në nevojë nëpërmjet pensionit social, mensave sociale, pa harruar edhe projektin më të fundit “Kafe me gjyshin”.

Top Channel