Ushqimet e pasigurta, konsumatorët: Mungesë informacioni dhe besimi

16/03/2017 00:00

Në një treg produktesh me përbërës që rrezikojnë shëndetin e tyre dhe shërbimesh me probleme jo të pakta, qytetarët ndjehen të pambrojtur.

Konsumatorët në një treg të Durrësit shprehen se nuk kanë besim te autoritetet publike apo gjyqësore për të zgjidhur ankesat e tyre.

“Ka ndodhur shpesh që të shkoj në supermarkete dhe të gjej produkte të skaduara që janë ende në shitje, përsa i përket produkteve. Përsa i përket ujit të pijshëm gjithashtu gjatë periudhës së verës mban erë, dhe nuk është ujë i pastër”, shprehet një studente.

“Unë jetoj në fshat dhe një pjesë të mirë e prodhoj vetë. Them se jam i mbrojtur dhe di se çfarë prodhoj. Por nuk ka siguri,se e di se si piqen domatet dhe kastraveci dhe nuk dua të hyj më thellë”, thotë një fermer.

“Ku të ankohem? Kush ta zgjidh? Nuk i zgjidh njeri problemet”, thotë një grua.

Në qendër të qytetit të Durrësit, Qendra e Konsumatorit Shqiptar ndërmori vullnetarisht një fushatë informimi në lidhje me të drejtat e konsumatorëve.

“Ne sot gjendemi përballë një konsumatori shqiptar që nuk është i informuar, që nuk e di se ka një numër të madh të drejtash, nuk di institucionet ku të ankohet, dhe mbi të gjitha me çfarëdo lloj dëmi mund të marrë dëmshpërblim”, thotë Ersida Teliti.

Ndonëse është bërë dhe vijon të bëhet përafrimi i legjislacionit shqiptar me politikat më të mira europiane në mbrojtje të konsumatorit, zbatimi i tij është i mangët.

Zyrat publike të mbrojtjes së konsumatorit mungojnë, duke e bërë të papërfillshëm rolin e konsumatorit në mbrojtjen e interesave të tij ekonomike në treg.

Top Channel