Sarajevë, Rama: S’kishte sherr Vuçiç-Mustafa. Tensione artificiale

16/03/2017 00:00

Samiti i kryeministrave të vendeve të Ballkanit në Sarajevë u mbyll, duke lënë të hapur idenë e krijimit të një tregu të përbashkët. Pas shumë diskutimeve në Kuvendin e Bosnjes, një konferencë e shkurtër u mbajt, pasi kryeministri serb Aleksandar Vuçiç nuk deshi të flasë, pasi nuk e pa të nevojshëm adresimin e tij.

Por për mediet serbe, ai tha se kanë ndodhur shumë gjëra për të cilat duhet tërhequr vërejtje, e sidomos sa iu përket marrëdhënieve me Prishtinën.

Samiti u zhvillua nën hijet e lajmit për zënka mes Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Pak më vonë, i lutur nga gazetarët e tjerë joserbë, ai tha shkurt se beson te paqja dhe u shpreh i lumtur për takimet me të gjithë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian thanë se është momenti për të kaluar nga gjendja e tensioneve në një gjendje përparimi, e ky samit mund të ishte një kthim te progresi.

Kryeministri Edi Rama tha se beson në zgjidhje të problemeve në Ballkan.

“Këto tensione janë artificiale dhe janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje edhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe në Beograd, sipas të cilit qenka bërë sherr mbrëmjen e së mërkurës. Unë isha në darkë dhe nuk pashë asnjë sherr. Përkundrazi… Kështu që deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Beograd, mos u çudisni nga këto lloj tensionesh”, tha Edi Rama.

Kryeministri shtoi se ideja e tregut të përbashkët nuk është alternativë e BE-së, por një ndihmë për ta përshpejtuar rrugëtimin.

“Ky nuk është një model alternativ, por një model zhvillimi që përshpejton procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe e bën integrimin e tregut të përbashkët europian dhe atij ballkanik një realitet, më shpejt sesa ç’mund të ndodhë me anëtarësimin e vendeve tona në BE”, theksoi Rama.

Kryeministrat e rajonit nënshkruan një deklaratë të përbashkët. Vazhdimi i reformave, shoqëri demokratike dhe të lira, kjo është marrëveshja që kanë nënshkruar të gjithë kryeministrat dhe deklarata, me të cilën ata zotohen se do ta drejtojnë rajonin në të ardhmen. Bashkimi Europian ka sjellë porosi se, e ardhmja e Ballkanit është në Europë.

Top Channel