Nishani në Baku: Shqipëria e angazhuar në luftën kundër terrorizmit

16/03/2017 00:00

Angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm ka qënë aktiv dhe domethënës është shprehur presidenti Bujar Nishani.

Ai ndodhet në Baku, ku mori pjesë në forumin e 5-të global, ku foli për temën: “E ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare: pushteti dhe interesat”.

“Angazhimi i vendit tim në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm ka qenë aktiv dhe domethënës. Brenda vendit janë ndërmarrë veprime të shumta ligjore e sociale, për të ç’kurajuar elementët ektresmistë, si dhe promovuar idetë dhe programet që nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndër-fetare. Ndërsa në nivel rajonal, është rritur bashkëpunimi me vendet fqinje për shkëmbim informacioni dhe koordinim veprimesh”, tha z. Nishani.

Duke iu refereuar eksperiencës së hidhur të rajonit të Ballkanit, veçanërisht pas konflikteve të dhunshme etnike e fetare pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Presidenti Nishani theksoi se sot të gjitha vendet janë të përfshira në dialog me njëri-tjetrin dhe se agjendat e tyre janë të orientuara drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu se referencat dhe metaforat, shpesh negative, kanë bërë që edhe sot ky rajon të vijojë të merret si shembull në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe të jetë arenë e interesave të shumta.

“Fatkeqësisht, ka ende fuqi dhe interesa të mëdha që e pengojnë këtë rajon të shkëputet tërësisht nga e kaluara, të cilat shfrytëzojnë marrëdhëniet delikate ndëretnike, nacionalizmin primitiv që shfaqet hera-herës, instalimin e frikës përmes terrorizmit, nivelin ende të ulët të zhvillimit dhe të ndërlidhjes mes vendeve të rajonit dhe qytetarëve të tyre, por edhe rënien e vëmendjes së strukturave të BE-së dhe NATO-s për shkak të sfidave të shumta, për ta kthyer atë në ditët e tij më të errëta”, u shpreh Presidenti Nishani.

Më pas Presidenti Nishani dhe presidentët e tjerë në panel iu përgjigjën interesit të auditorit, duke shprehur disa qëndrime lidhur me nevojën e reformimit të sistemit aktual, apo respektimit të tij pa dy standarde.

Top Channel