Meta përfundon vizitën në Helsinki, takim me Matti Vanhanen

16/03/2017 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta është takuar me kreun e komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Finlandës, Matti Vanhanen, në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Helsinki.

Të dy palët vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, dhe mbështetjen e Finlandës për integrimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

““Vizita juaj në Finlandë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyer që ne kemi mes dy vendeve. Ju uroj suksese në rrugën tuaj drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në BE. Finlanda ka qenë gjithmonë një mbështetëse e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të ardhur në Shqipëri dhe do ta marr në konsideratë me kënaqësi”, u shpreh z. Vanhanen.

“Ishte një kënaqësi për të konfirmuar së bashku marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe rëndësinë e zgjerimit të tyre në interes të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe të stabilitetit në rajonin tonë, dhe në këtë drejtim shpresojmë që z.  Vanhanen të vizitojë Shqipërinë”, tha kryeparlamentari Meta.

Meta dhe Vanhanen ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të rrisin kontaktet dhe të shtyjnë përpara një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në fushat e arsimit, teknologjisë, turizmit dhe shkëmbimeve njerëzore.

Top Channel