Linja e Tufinës zgjatet deri në fshatin Shtish

16/03/2017 00:00

Linja e urbanit Qendër-Tufinë është zgjeruar edhe me tre stacione të tjera, duke shkuar deri në fshatin Shtish. Për këtë linjë tashmë njihet aboneja dhe janë shtuar edhe numri i mjeteve në qarkullim.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj u shpreh se me zgjatjen e kësaj linje deri në fshatin Shtish plotësohet një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të zonës, ndërsa garantoi se linja ofron një shërbim dinjitoz dhe më të shpejtë.

“Jam shumë i kënaqur sepse mbajmë një premtim, të cilin ua kemi bërë banorëve të zonës, që linja e Tufinës të vinte deri në fshatin Shtish, një zonë kryesisht rurale”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se shtimi i numrit të autobusëve jo vetëm që ka përballuar zgjatjen e linjës, por ka ulur ndjeshëm frekuencën e mbërritjes së tyre në stacion.

“Sot në këtë linjë njihet aboneja, kemi shtuar 9 autobusë gjithsej, duke mundësuar që shumë fëmijë të ndjekin shkollën, të moshuarit të shkojnë më lehtë për kontrolle në spitale, kurse familjet të mos vonohen në vendet ku punojnë, që kryesisht ndodhen në Tiranën urbane”, shtoi Veliaj.

Linja e Tufinës ka pësuar një zgjatim deri në fshatin Shtish, duke i shtuar 3 stacione itinerarit të zakonshëm. Falë riorganizimit dhe investimeve janë shtuar numri i mjeteve në qarkullim, çka ka sjellë që në orët e pikut autobusët të mbërrijnë në stacion në një frekuencë për rreth 6-7 minuta. Linja e Tufinës njeh abonetë, ndërsa në të gjitha mjetet është instaluar sistemi GPS, nëpërmjet të cilit monitorohet lëvizja në orar e autobusëve.

Top Channel