ISHP, grup inspektimi në fasonerinë e Lezhës

16/03/2017 00:00

Menjëherë pas transmetimit të mërkurën të kronikës në “Fiks Fare”, lidhur me kompaninë fasone “Mali sh.p.k” në qytetin e Lezhës, Inspektoriati i Punës ka ngritur një grup inspektimi mbi problemet që u ngritën në emision.

Kurse në lidhje me problemet që ka në pjesën më të madhe të fasonerisë, përgjegjësja e punësimit në Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Elida Qosja u shpreh:

“Kemi gjetur edhe ne probleme të tilla, madje kemi gjetur për vitin 2016 rreth 40 persona të punësuar, por që janë nën moshën 16 vjeç. Për këtë është pezulluar aktiviteti i bizneseve që kanë pasur këtë shkelje”.

“Edhe në kompanitë e tjera që janë gjetur shkelje, ato janë ndëshkuar sipas ligjit duke marrë gjoba deri edhe pezullim të punës”, shprehet Qosja.

Gjithashtu ajo shpjegon se, në bazë të Kodit të Punës, punëtoret duhet të punojnë 40 orë në javë. Orët shtesë, si dhe ditët e shtuna dhe të diela duhet të paguhen shtesë. “Kodi i Punës është i qartë për marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, ndaj në momentin e konstatimit të shkeljes së ligjit Inspektoriati i Punës merr masa”, përfundon Qosja.

Top Channel