Banorët e Xarrës u kompensuan me tokë kënetore

16/03/2017 00:00

Pjesa më e madhe e familjeve që jetojnë në fshatin Xarrë të Konispolit jetojnë duke kultivuar agrume dhe ullinj. Në fshat banojnë 400 familje, por me mbylljen e kooperativave dhe ndarjen e tokave, jo të gjithë morën pjesët kodrinore nga ku sot del edhe 20 % e prodhimit të agrumeve që furnizon tregjet e Konispolit.

56 familjeve që nuk jetonin në atë kohë në fshat i ra për pjesë toka në moçal. Agroni, një prej banorëve, thotë se prej 25 vjetësh ata kërkojnë tokë tjetër pasi në pronat e tyre mund të shkojnë vetëm me varkë.

“Tokë e mbytur atje ka qënë peshkim. E kemi paguar rreth 10 vjet dhe prodhim për të mbjellë nuk kemi mbjellë”, thotë Agron Duçko, banor i Xarrës.

“I di shumë mirë këto toka, se kam qënë dhe vetë brigadiere. E di që nuk janë të përdorura këto toka. Kanë bërë një gabim shumë të madh që ua kanë dhënë fshatarëve këtë tokë”, thotë Athina Ila.

“Vijnë deputetët, kryetarët e bashkive, qeveria, na është premtuar për një farë kompensimi të një toke bosh që ndodhet në zonën e Bufit. Kemi marrë vetëm premtimet dhe asgjë më shumë”, shprehet Selim Shabani.

Rreth 150 ha tokë shtetërore rrëzë kanalit të liqenit të Bufit në Veri-Lindje të fshatit nuk janë përdorur asnjëherë dhe as ankesat e kryetarit të fshatit nuk e kanë zgjidhur çështjen.

“Tu jepet një zgjidhje, se nuk është zgjidhje kjo që sa herë vijnë zgjedhjet të vijnë të mashtrojnë., mesa shoh diku preken interesat që kjo gjë ka ngelur pezull”, thotë Vasil Xhai, kryetar i fshatit.

56 familjet anëtarët e të cilave ishin në emigrantë në Greqi në kohën kur u nda toka bujqësore enden zyrë më zyrë dhe që të jetojnë si pjesa tjetër e fshatit duke mbjellë agrume dhe ullinj, që shpesh u duhet të marrin tokë me qira.

Top Channel