Pranvera frankofone, krahas aktiviteteve me në qendër promovimin  e kulturës frënge, këtë vit do të zgjojë një nga gjinitë disi të harruara: poezinë. Poetja dhe këngëtarja franceze Zabo do të çelë këtë shfaqje, duke sjellë më 14 mars një mbrëmje të veçantë me poezi të autorëve shqiptarë, të cilat do të recitohen në gjuhën frënge.

“Kam takuar shumë poetë shqiptarë dhe kam vënë re se kanë një forcë e humanizëm të rrallë. Pikërisht kjo është poezia për mua. Kam lexuar Besa Myftiun, Luljeta Lleshanakun dhe u preka shumë. Jam prekur nga forca e poezive të tyre. Duke qenë se jeta është shumë e ngarkuar, e kemi larguar poezinë nga ne, por në Shqipëri kam vënë re se ju keni ende një raport të drejtpërdrejtë. Mbi këtë sfond kam ndërtuar poezinë dhe spektaklin tim”, tha Zabo Martin.

Mbrëmjen e 21 marsit do të vizitojë Tiranën një shef kuzhine special, Eric Dyken, i cili ka drejtuar kuzhinën e pallatit të Elizesë për 3 presidentët e fundit francezë.

“Aktivitetet kulturore i drejtohen një publiku frankofon, por jo vetëm. Do të jenë për një publik të hapur. Temat që janë përzgjedhur këtë vit janë të shumta në numër, por disa nga më të rëndësishmet janë: një mbrëmje e veçantë gastronomie, forumi ekonomik frankofon dhe do të kemi 3 konferenca në fushen e debatit. Të gjitha këto aktivitete do të jenë të shpërndara në 11 qytete në të gjithë vendin”, tha Rose Anne, atashe kulturor në Ambasadën franceze në Tiranë.

“Shkolla e grave” dhe “Zoti i masakrës” janë vetëm dy pjesët teatrale që do të përfshihen në kalendarin artistik frankofon deri në datën 28 mars, ndërsa nuk do të mungojnë edhe “Amour” apo “Cezari e Rosalia”, dy shfaqje filmash në “Kinema Imperial”.

Top Channel