Veliaj: Investimet për fëmijët, e ardhme më e mirë për qytetin

10/03/2017 00:00

Një tjetër çerdhe i është shtuar kryeqytetit, që do u shërbejë 100 fëmijëve. Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka qënë në çerdhen e rindërtuar nr. 13, e cila tashmë ka një hapësirë më të madhe dhe kapaciteti i saj është shtuar me tre herë.

“Është një dhuratë për fëmijët e vegjël, por edhe për nënat që i sjellin fëmijët në këtë hapësirë moderne, tashmë tre herë më e madhe se më parë. Godina sot ka dy kate dhe u shërben 100 fëmijëve. Jam shumë i lumtur që në gjithë Tiranën kemi bërë 36 çerdhe të reja”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky është një tjetër investim për të ardhmen, i cili garanton një qytet më të mirë nesër.

“Basti që kemi vënë për Tiranën fillon me çerdhet e kopshtet; nëse fëmijët rriten në çerdhe e kopshte të mira, nesër do të kemi qytetarë të dashur, të pastër, që respektojnë rregullat e qytetit. Unë dua që t’i uroj edukatoret dhe fëmijët ta gëzojnë çerdhen e re, me shpresën se këtu do rriten fëmijë të mirë dhe Shqipëria do jetë më e mirë”, shtoi Veliaj.

Sa i përket Njësisë Administrative Nr. 8, Veliaj theksoi se është parashikuar që pas çerdheve dhe kopshteve të vijohet edhe me infrastrukturën e shkollave, ndërsa bëri të ditur se për pak ditë hapet edhe Pazari i Ri, i cili ashtu si çdo investim tjetër ka rritur ndjeshëm vlerën e pronës për banorët.

Top Channel