Reforma administrative efekte pozitive në vend

10/03/2017 00:00

Reforma administrative territoriale ka qenë e suksesshme sipas qeverisë deri më tani.

Efektet kanë qenë pozitive, ndërkohë që për ngritjen e kapaciteteve menaxheriale financiare dhe të shërbimeve po zbatohet projekti “Star II”, që është financim prej rreth 8 milionë dollarësh dhënë nga Bashkimi Europian, qeveria e Shqipërisë e Suedisë, e Italisë  e Zvicrës, PNUD dhe USAID. sipas ministrit për Çështjet Vendore Blendi Çuçi, hapi tjetër që do të pasojë këtë reformë do të jete decentralizimi fiskal.

“Është hera e parë në Shqipëri që materializohet koncepti i taksës së ndarë. Janë disa taksa që ndahen në përqindje, një pjesë i shkon buxhetit të qeverisë, një pjesë i shkon buxheit të qeverisjes vendore. Krijohet një frymëmarrje më e madhe për tarifat që vendos qeverisja. Pra një diskrecion më i madh për tarifat që vendos pushteti vendor”, U shpreh ministri Blendi Çuçi.

Hapi tjetër do të jetë dixhitalizimi i arkivave te dokumentare të ish-njësive vendore. Reforma territoriale ka rritur kompetencat e bashkive dhe mundëson që të zbatohen projekte që më parë për komunat ishin të parealizueshme.

“Jam i bindur që njësitë e vogla dhe të coptëzuara që kanë funksionuar para reformës nuk i kanë patur më parë këto mundësi që kanë sot Bashkitë e mëdha. Edhe për të projektuar edhe për konkurruar edhe për të financuar qoftë nga fondet e qeverisë shqiptare, qoftë nga burimet e veta të drejtpërdrejta”, tha kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi.

Shembull konkret është projekti për shmangien e përmbytjeve në Darzezë në Fier. Këtu Bashkia po ndërhyn për pastrimin e kanaleve kulluese. Më parë ndërhyje të tilla nga komunat bëheshin me vështirësi.

Ngritja e kapaciteteve ka ndihmuar edhe projektet e rilindjes urbane, dhe ka mundësuar që bashkitë të marrin më shume fonde për rindërtimin e shkollave dhe mjedise të tjera publike.

Top Channel