Pazari i ri i Tiranës, treg dhe evente gjatë 24 orëve

10/03/2017 00:00

Pazairi i Ri i Tiranës, përveç se një hapësirë e re publike përmban 3 komponentë: tregun e fruta-perimeve, merkatën e peshkut dhe të mishit dhe sheshin e eventeve. Këtu qytetarët do të blejnë produkte të freskëta të zonës së Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

“Në merkatën e gjelbër do të jenë tregtarët e fruta perimeve, ku janë 135 tezga dhe ku do të akomodohen 135 tregtarë. Përballë është merkata e mishit dhe peshkut, ku janë 25 njësi shërbimi, restorante dhe kafene. Është edhe sheshi rekreativ, ku do të organizohen evente të ndryshme”, sqaron Enkelejd Musabelli, drejtor i Zhvillimit Ekonomik pranë Bashkisë së Tiranës.

Sipas Bashkisë së Tiranës, aktiviteti në këtë zonë do të vijojë gjatë gjithë 24 orëve, në varësi të shërbimeve. Po si do të funksionojë ky kompleks i ri, ku për herë të parë pronar do të jenë vetë tregtarët?

“Që nga momenti i hapjes, Pazari i Ri si kompleks do të regjistrohet si OJF, që do të jetë në pronësi të vetë tregtarëve. Gjithashtu, pazari do të ketë një administratë që do të kujdeset jo vetëm për mbarëvajtjen e punës këtu, por edhe për evente, apo për të sjellë turistët e huaj dhe vendas”, thotë Musabelli.

Për ndërtimin e këtij kompleksi Bashkia e Tiranës, qeveria dhe Fondi Amerikan i Zhvillimit kanë investuar 6.5 milionë euro, ndërsa vlera e pronës, sipas bashkisë është rritur në masën 40-50%.

Top Channel