Mes dallgëve dhe hashashit; Strategjia anti-kanabis e qeverisë, 5 milionë euro

10/03/2017 00:00

Të lundrosh në një det 4 ballë nuk është aspak e lehtë, këto janë disa nga vështirësitë që përballen efektivët e drejtorisë së policisë së kufirit gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Prej më shumë se 2 javësh policia e shtetit ka nisur punën për parandalimin e kultivimit që në fazat e para. Mbi 5 mijë kontrolle janë ushtruar në sera, ish reparte ushtarake, ish depo dhe ish magazina, vende të përshtatshme këto për kultivimin e farave në kubik që më pas mbillen në parcela. Drejtuesi i lartë i policisë, Skendër Kalemi zbulon për Top Chanel se strategjia kombëtare kundër këtij fenomeni është miratuar edhe nga ekspertë të Komisionit Europian.

“Në hartimin e planit të veprimit kombëtar janë hartuar edhe mendimet, eksperienca e ekspertëve të dërguar nga Këshilli i Evropës. Nga grupi teknik që u mor në hartimin e strategjisë 2017-2020”, tha Skënder Kalemi, drejtor i Parandalimit të krimeve në Policinë e Shtetit.

Ndonëse nuk thuhet zyrtarisht, kosto e strategjisë kombëtare anti-kanabis shkon deri në 5 milionë euro. Nga ana tjetër brenda 2 javësh në Tiranë zbarkuan 2 zyrtarë të lartë të institucioneve ligjzbatuese italiane, kreu i drejtorisë së anti-mafias Franko Roberti dhe komandanti i Guarda di Financas, Giorgio Toschi të cilët shprehën shqetësimin në lidhje me rritjen e sasive të kanabisit që trafikohet drejt Italisë. Por sipas policisë shqiptare kapja e sasive dëshmon  rritjen e forcës goditëse.

“Kjo rritje e kapjes së këtyre grupeve që trafikojnë lëndë narkotike ka të bëjë me rritjen e forcës goditëse dhe një bashkëpunim më i mirë. Një bashkëpunim në kohë reale mes forcave të policisë shqiptare dhe Guarda di Financas në anën tjetër”, shprehet Genc Merepeza, drejtor i Përgjithshëm i Kufirit dhe Migracionit.

Top Channel