Kuotat e peshkut, Panariti kërkon rinegocim në Itali

10/03/2017 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti filloi bisedimet me përfaqësues të Bashkimit Evropian për të kërkuar rritjen e kuotave të përpunimit të peshkut, veçanërisht açugeve dhe sardeleve që përdoren nga industria përpunuese në Shqipëri.

Panariti u takua në Itali me Presidentin e Komisionit të Bujqësisë së Parlamentit Evropian, Paolo de Castro. Pasi e njohu këtë të fundit me investimet e mëdha të kryera në zgjerimin e kapaciteteve përpunuese industriale të peshkut në Shqipëri, ministri i Bujqësisë kërkoi të rinegociohen kuotat e përpunimit të peshkut në Shqipëri, për t’i dyfishuar ato.

De Castro siguroi për angazhimin e tij për rinegocim të kuotave dhe e informoi ministrin për rrugën që duhet ndjekur. Shqipëria ka industrinë më të madhe të përpunimit të peshkut në Evropën Qendrore dhe Lindore. Vitet e fundit, kjo industri është zgjeruar me ritme të shpejta, duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës.

Por, kuotat vjetore të eksportit që Bashkimi Europian i lejon Shqipërisë plotësohen brenda pak muajsh. Aktualisht, në këtë industri janë të punësuar minimalisht 5 mijë vetë.

Top Channel