Mes luleve, ëmbëlsirave dhe miqve nga e gjithë Shqipëria. Kështu është zgjuar Elbasani këtë 14 mars, dita e vetme në vit që e kthen qytetin në kryeqendrën e vendit.

Nuk ka rrugë dhe shtëpi të Elbasanit ku të mos gjesh ëmbëlsirën tradicionale Ballakumen, shitja e së cilës nuk ndalet.

“Ballakumet na dolën shumë të mira, se ne jemi elbansallinj vetë. Se ne dimë t’i bëjmë. Ka formulën e vet”,shprehet një grua.

Bashkia e Elbasanit kishte përgatitur një seri aktivitetesh që mblodhën në shesh mijëra qytetarë deri ne orët e parë të mëngjesit.

Siç ka qenë traditë prej vitesh, festimet tradicionale në qytetin e Elbasanit vijojnë nëpër vatrat familjare apo me piknikë të organizuar në natyrë ku familjet e miqtë festojnë së bashku.

Në një traditë të shtuar pas viteve 90, nuk mungojnë as festat në  restorantet e qytetit, të cilat këto dy ditë në Elbasan janë të tejmbushur.

Top Channel