Dëshmia për Shullazin, rrëfehet biznesmeni

10/03/2017 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda nisi të marrë rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqaj. Pas shumë dështimesh, seanca nisi, por nuk arriti të përfundojë ndërsa është zhvilluar në praninë e një avokati kryesisht.

Marrja e sigurimit të provës, pra marrja e dëshmisë të dëshmitarit të mbrojtur u zhvillua pa praninë e të dyshuarit Emiljano Shullazi.

Shullazi është shtruar një ditë më parë në një spital privat pas problemeve shëndetësore dhe vlerësimit të mjekeve për ndërhyrje kirurgjikale.

Për shkak se avokatët e Gilmando Danit dhe Emiljano Shullazit kanë shfaqur pretendime për figurën e dëshmitarit të mbrojtur, ata kanë braktisur shumicën e seancave, çka detyroi gjykatën të vihej në kërkim të avokatëve kryesisht.

Në seancën  e radhës, avokatja e caktuar kryesisht nga shteti Valentina Teodoresku ka pranuar të përfaqësojë interesat e të pandehurve, duke bërë të mundur që Ylvi Beqaj të dëgjohej.

Për më shumë se një orë, dëshmitari Beqaj thanë burimet i ka qëndruar dëshmisë së dhënë muaj më parë, duke treguar se me Emiljano Shullazin e kishte prezantuar një avokat i njohur në Tiranë.

“Unë kisha probleme me një proces gjyqësor për Vollgën në Gjykatën e Apelit dhe avokati me propozoi duke më thënë se këtë çështje ma zgjidhte Shullazi. Marrëveshja me Shullazin u bë e tillë, që për të zgjidhur  problemin Vollgës do të merrte 20 përqind në formën e kontratës së premtimit. Kur bëmë kontratën e 20 përqind u vendos të shtohej edhe 10 përqind”, ka kujtuar Ylvi Beqaj.

Dëshmitari i drejtësisë ka treguar se konfliktet kanë nisur pasi Shullazi ka mësuar se ishte kryer shitja e një sipërfaqjeje të caktuar dhe sipas tij në këtë pikë ka filluar t’i kërkojë çeqe të firmosura në emër të Gilmando Danit dhe të nipit të tij.

Burimet thanë se pikërisht këtu procesi është ndërprerë pasi edhe avokatja kryesisht, Teodoresku është larguar nga salla, me argumentin se kishte një seancë tjetër gjyqësore të cilës i përfundonin afatet.

Në këto kushte, gjykata e shtyu procesin për ditën e hënë në orën 15:30,  ku drejtësia shpreson të marrë deri në fund rrëfimin e Ylvi Beqajs, për të cilin prokuroia pretendon se duhet marrë para mbylljes së hetimeve, pasi ai ose mund të largohet nga vendi, ose i rrezikohet jeta.

Top Channel