“Letërsia dhe Qyteti” që ndezi debatin për të shkuarën komuniste

09/03/2017 00:00

Një mbrëmje letrare e paralajmëruar nga dy gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, me shkrimtaren Diana Çuli, në kuadër të takimeve “Letërsia dhe qyteti”, u bë shkas për t’u rikthyer në vëmendjen e opinionit publik një nga krimet më të njohura të komunizmit, ai i pushkatimit të dy poetëve nga Librazhdi, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Facebook shkrimtari Agron Tufa ftoi njerëzit në një protestë kundër kësaj mbrëmjeje letrare, pikërisht në të njëjtin vend ku ishte parashikuar takimi me shkrimtaren Çuli.

Ndër të tjera në këtë status Tufa shkruan: “Meqenëse ta ngresh zërin për dinjitet njerëzor ta zënë për të madhe dhe të kujtojnë të Drejtën e Fjalës në një Botë të Lirë, a nuk kemi pra dhe ne, miq, po kaq të drejtë, sa të lexojmë me zë të lartë lirikat e mrekullueshme të poetëve të vrarë, pikërisht në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtin vend me vrasësen e tyre?!”

Diana Çuli më pas u tërhoq nga takimi, duke I hapur rrugë protestës që ka ndezur këto ditë një nga debatet më të mprehta në shtyp mbi implikimin e intelektualëve në regjimin komunist. Reagime kanë ardhur edhe përtej oqeanit nga “Peisazhe të fjalës” ku Ardian Vehbiu në shkrimin e tij “Të zbatosh a të mos zbatosh” vë theksin në domosdoshmërinë e zbardhjes së kësaj çështjeje dhe përqendrim në Organizatën Bazë të Partisë më shumë se tek një qytetare e përdorur nga sistemi si Diana Çuli.

Ndërkohë në vazhdën e takimeve të radhës në “Letërsia dhe Qyteti” shkrimtari dhe intelektuali Besnik Mustafaj mendon se ka ardhur koha për një lexim të sinqertë dhe serioz zbardhjes së çështjes, më shumë se sa debate të udhëhiqet nga emocionet dhe inatet.

“Agroni është në krye të një institucioni që mund të ndërmarrë nisma shumë më të mëdha se ato në formë elektronike dhe mediatike për të dhënë një pjesëmarrje më të gjerë për të bërë “mea culpa” shumë persona. Duhet të bëjmë një lexim shumë të gjerë, që të mos shërbejë si larje hesapesh”, tha shkrimtari Besnik Mustafaj.
Poezia e fundit e poetit Genc Leka, e shkruar ne gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën.

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

Top Channel