Zyrtarizohen kandidatët për “Strasburgun”

08/03/2017 00:00

Pas refuzimit më 11 tetor të 2016 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të Ina Ramës, Sokol Berberit dhe Gent Ibrahimit, tre kandidatët e parë të paraqitur për mandatin e ri 9-vjeçar si gjykatës në Strasburg Qeveria Rama ka paraqitur zyrtarisht tre kandidatët e rinj.

3 kandidatët këtë radhe për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut janë Aleksandër Muskaj, Aurela Anastasi dhe Sokol Berberi.
 
Në listën e re prej 11 emrash krahas, Sokol Berberit, kanë aplikuar sërish nga lista e parë e kandidatëve vetëm Elira Kokona dhe Gent Ibrahimi, të cilët nuk janë përzgjedhur sërish në treshen e parë nga po i njëjti Komision ad-hoc i kryesuar nga Luan Omari dhe anëtarë Kristaq Traja, Bashkim Dedja, Artan Hoxha dhe Artur Metani.

Gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Ledi Bianku i ka mbaruar mandati më datë 31 janar 2017 dhe nëse procedura shkon normalisht këtë herë, në datat 24-28 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, voton më në fund për të zgjedhur se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në 9 vitet e ardhshme si gjyqtar në këtë Gjykatë.

Në përzgjedhjen e parë, procesi u shoqërua me një debat të fortë politik pasi Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence duke thënë se kërkon të çojë në Strasburg avokatët e interesave të tij.

Sipas agumentimit zyrtar të Këshillit të Europës, të publikuar më 6 tetor, refuzimi i kandidaturave të Sokol Berberit, Ina Ramës dhe Gent Ibrahimit u bë pasi u vu re se procedurat e përzgjedhjet së tyre në Shqipëri nuk ishin në përputhje me standardet e kërkuara nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.  Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azer.

Më parë, gjatë dhjete viteve të fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.

Top Channel