“Viktima” nga fronti i luftës. “Problemet psikike të ushtarëve, edhe pas 10 vjetësh”

08/03/2017 00:00

Problemet psikologjike dhe pasojat e rënda, të elitës së Forcave të Armatosura Shqiptare, janë ana tjetër e medaljes së këtyre heronjve.

Shërbimi psikologjik, pranë këtyre forcave duke patur parasysh natyrën e misioneve, është një domosdoshmëri, para, gjatë dhe pas misionit.

Togere, Blerina Breçani psikologia e Forcave Speciale Komando, tregon për Top Channel se trupat fillojnë përgatitjen fizike dhe psikologjike për misionin e radhës gjashtë muaj përpara, duke u përqendruar në trajtimin e simptomave më të hasura në situata të tilla.

“I trajtojmë me simptomat më të domosdoshme psikologjike, siç janë problemet e gjumit, ato të komunikimit me familjen, stresi postraumatik, depresioni dhe çrregullimet deluzive”, shprehet psikologia.

Nga eksperienca e krijuar gjatë këtyre viteve, psikologia nënvizon se ushtarakët refuzojnë të vijnë vetë apo të tregojnë në lidhje me problemet psikologjike që mund të kenë pas misioneve, pasi i druhen shënimit të këtyre problemeve në dosjen e tyre.

Por ky hezitim mund të sjellë pasoja pasi problemet e patrajtuara psikologjike mund të rishfaqen në forma më të ashpra edhe pas 10 vitesh dhe në mënyrë të veçantë tek ata persona që janë larguar nga FA.

“Çrregullimet psikike mund të zgjasin në kohë nga 2-6 deri në 10 vjet. Çdo simptomë e marrë nga jeta sociale, kur ai del në jetë civile, si për shembull një stres, mund t’i ringjallë atij problemet psikologjike, që mund të kenë mbetur të patrajtuara kur janë shfaqur”, shprehet Blerina Brecani.

Për këtë arsye, psikologia apelon që institucionet të bashkëpunojnë më mirë mes njeri-tjetrit në mënyrë që ushtarakët që kanë kryer misione ndërkombëtare, pas largimit nga ushtria të kenë një ndjekje të programuar psikologjike.

“Koordinimi mes Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme, që ata të kenë një database për ish-ushtarakët, në mënyrë që të kalendarizohet kontrolli, për të parë nëse simptomat janë rishfaqur dhe sa është në gjendje t’i përballojë. Në këtë mënyrë, kemi nën kontroll ushtarakun dhe kjo gjë duhet bërë”, thotë psikologia.

Top Channel