Punësimi i grave, Klosi: Denonconi dhunën

08/03/2017 00:00

Në ditën e gruas, ministri Klosi u dhuroi lule rreth 200 grave të punësuara në një nga fabrikat e reja të prodhimit, një pjesë e të cilave ish gra të dhunuara.

Ministri foli edhe për problematikat e grave, kryesisht për punësimin e tyre dhe pagat e vogla, ndërsa bëri edhe një premtim.

“Ne e dimë shumë mirë që paga që ju merrni këtu mbase nuk është e mjaftueshme dhe nuk është aq sa duhet, por është një përpjekje, është një mundësi, ndaj ne sot vijmë me disa problematika të përmbushura. Po luftojmë që rrogat tuaja minimale të rriten, po luftojmë t’i japim mundësi biznesit që të shtojë më shumë kapacitetin, të shtojë më shumë mundësinë e tregtimit të produktit duke shtuar kështu mundësinë e pagesës për ju”, deklaroi ministri Klosi në fjalën e mbajtur.

Fuqizimi ekonomik i gruas është një nga prioritetet e qeverisë, ku një nga programet e nxitjes së punësimit i dedikohet grave dhe veçanërisht viktimave të dhunës në familje, ndërsa miratimi i reformës në drejtësi, do të ishte një tjetër masë për të parandaluar dhunën dhe krimet në familje, kjo pasi në shumë raste janë bërë vrasje për shkak të vendimeve të munguara të gjyqësorit, për urdhrat e padhëna të mbrojtjes, apo për mungesën e dënimeve të dhunuesve.

Në mbledhjen e Këshillit të Barazisë Gjinore, të organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Grave u diskutua edhe për rritjen e pagës minimale në subjektet private, si edhe për punësimin e grave të burgjeve të Tiranës.

Top Channel