Fiks Fare / Drejtori i Tokave: Problemin zgjidheni me Kanun

08/03/2017 00:00

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një ankesë nga zoti Muharrem Kuçana. Ai pretendon se kushërinjtë që banojnë në fshatin Rragam, në Tropojë, i kanë zaptuar një shtëpi që e kanë në fshatin Sopot.

“Nuk e kemi zgjidhur dot këtë problem, po bëjmë vite. Kemi shkuar në komisionet vendore në Tropojë, Kukës dhe tani në Tiranë. Nuk duam të hapim proces gjyqësor, toka dhe shtëpia është e jona. Kemi shkuar edhe në Inspektoriatin Shtetëror të Tokave, pranë Sekretariatit Teknik, ku kemi takuar drejtorin Ndrec Deda. Ai na ka thënë se çështjen duhet t’a zgjidhim me Kanun”, tha Muharrem Kuçana, mësues i fizikës.

Gazetarët e pyetën zotin Kuçana se çfarë i tha konkretisht drejtori Ndrec Deda dhe ai u përgjigj se, sipas drejtorit, hartat nuk lëvizin.

“Më tha ‘të këshilloj, je malësor nga Tropoja, keni një Kanun atje, t’a zgjidhni me burrat’. Këtë bisedë e kam bërë në vitin 2016 në zyrën që ndodhet tek “21 Dhjetori” dhe ai insistonte që ta zgjidhnim me Kanun”, tha Kuçana.

Gazetarët e pyetën se si ai dhe vëllai i tij Gjergj Kuçana do ta zgjidhin këtë problem, me Kanun apo në rrugë shtetërore?

“Zgjidhja është e qartë, bëhet fjalë për një kufi të vendosura në vitin 1978, zgjidhja është e qartë për njerëz që kanë 5 parë në kokë. Është e thjeshtë, një ushtrim matematikor. Zgjidhje tjetër me ndërhyrje nga lartë dhe në forma të tjera nuk ka. Absolutisht, s’kemi për ta zgjidhur në mënyra të tjera, kemi përjashtuar edhe djemtë. Duam ta zgjidhim sipas ligjit, sipas rregullave”, tha Kuçana.

Ai shtoi se pas një brezi çështja do të bëhet edhe më e vështirë për t’u zgjidhur. “Ne kemi 53 nipër e mbesa, ata kanë 30 e ca, atëherë zgjidhja do jetë e vështirë dhe mendoj se duhet të zgjidhet në kohën e duhur që të shmangen telashe të tjera”, përfundon zoti Kuçana.

Biseda mes Dedës dhe Kuçanës në zyrën shtetërore

Krahas pretendimit, vëllezërit Kuçana thanë se kanë prova për bisedën me zotin Deda. Ata kanë regjistruar të gjithë debatin e zhvilluar vitin e kaluar.

“Ty të intereson që të vihet kufiri siç ka qenë në bazë të fshatrash, që trashëgimtarët tuaj nesër apo pasnesër të mos kenë probleme me kufijtë. E di që jeni sjellë kaq vite rrugëve, sepse ju ka ecur ters”, u thotë Deda dy vëllezërve gjatë bisedës së përgjuar.

Gjatë një momenti, Deda ndërhyn sërish, duke u thënë se bisedën duhet ta bëjnë me radhë.

“Kështu na është bërë zakon ne malësorëve. Me Kanunin e Lekës, nëqoftëse futesh jashtë radhës në bisedë gjobitesh. Nëqoftëse flet me zë të lartë si puna ime, që jam mësuar në kooperativë bujqësore, gjobitesh. Nëqoftëse shan kënd, fyen kënd, gjobitesh. Pra janë norma që tani e 500 vjet, pra t’i zbatojmë edhe ne që jemi në një kohë shumë progresiste. Të mos i harrojmë të mirat e asaj kohe, t’i veshim të mirat e kësaj kohe dhe të dalë tamam buka”, u thotë ai.

Më pas, drejtori i Sekretariatit të Tokave del direkt në temë. “Nuk dua të di sa tokë keni, as se mund të lini shtëpinë aty. Mosmarrëveshja me fëmijët e tezes dhe djalin e xhaxhait është pjesa më e vështirë dhe më e rëndë të përballohet. S’është kollaj të rrokësh pushkën, se plumbi të shpon dhe gishtin… Nëqoftëse do të keni mundësi, më gjeni ndonjë njeri të atyre djemve të tezes, jo të drejtpërdrejt, ta takoj dhe atë”, thotë Deda.

Në vijim, zyrtari shtetëror e mëson qytetarin se si duhet të praktikojë Kanunin në ditët e sotme.

“Ose mund ta rregulloni me kufi me gurë, ose me be’, siç është zakoni i vjetër. Zgjidheni me be’ problemin. Ose iu bëni be’, ose t’ju bëjnë be’. Se keni 10 vjet rrugëve kot. Ikni zgjidheni me be’ e jepini drejtim dhe mos bëni përralla se me fëmijët… Vëri kufirin ti, nëse kufiri ta lë shtëpinë atje, do të jap edhe ndonjë lek, në të kundërt do t’i çoj në gjyq”, thotë Deda.

Qytetarët i thonë se topografia është shkenca ekzakte. “Të dy hiqni dorë nga topografia. Zgjidheni me zakon të vjetër”, përfundon Deda.

Ndrec Deda: Ua kam thënë jashtë funksionit

Gazetarët e “Fiks Fare” intervistuan zotin Deda në zyrën e tij, pranë Sekretariatit Teknik të Komisionit Qeveritar të Tokave.

Pyetjes se, përse i ka adresuar dy vëllezërit që ta zgjidhin çështjen me Kanun, ai iu përgjigj duke thënë se jo nuk është e vërtetë. Gazetarët i bën me dije se vëllezërit Kuçana kanë edhe një regjistrim të asaj bisede.

“Ua kam thënë jashtë ambientit zyrtar, u kam thënë një zgjidhje në mënyrë shoqërore, iu kam thënë ‘nëse s’je dakord me vendimin e komisionit të tokës, nëse s’do gjesh dot shkresën, mund ta zgjidhësh shoqërisht, se ka burra të zgjuar për ta zgjidhur problemin’. Ia kam thënë jashtë funksionit tim zyrtar, jashtë zyrës sime”, tha ai, megjithëse e pranoi se biseda është bërë pikërisht në zyrën e tij.

Gazetarët e pyetën përse nuk e zgjidhi problemin në këtë zyrë. “Nëse do të sillnin vendimin e Parlamentit që zgjidhte kufijtë mes Sopotit dhe Rragamit, atëherë vendimi do të ishte në favor të tyre”, tha Deda.

Top Channel