Bashkia e Tiranës nënshkruan Kartën Europiane për Barazi Gjinore

08/03/2017 00:00

Bashkia e Tiranës i bashkohet edhe zyrtarisht nismës për zbatimin e detyrimeve që lindin nga Karta Europiane për Barazi Gjinore, me qëllim arritjen e një jete më të mirë për qytetarët, pavarësisht gjinisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, David Saunders, firmosën sot Kartën Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore. Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Bashkia e Tiranës angazhohet publikisht që të hartojë dhe miratojë “Planin e Veprimit për Barazi” dhe ta zbatojë atë në vazhdimësi, duke raportuar rregullisht për ecurinë e këtij plani dhe në të njëjtën kohë, angazhohet të bashkëpunojë me qeveritë lokale dhe rajonale në Europë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryebashkiaku Veliaj teksa uroi fillimisht të gjithë vajzat dhe gratë me rastin e 8 Marsit dhe i falenderoi ato për punën dhe sakrificat që bëjnë për një Tiranë më të mirë, theksoi se detyrimet që lindin nga ky dokument i rëndësishëm ndërkombëtar janë tashmë në qendër të vendimmarrjeve të Bashkisë së Tiranës. “Për disa është ditë feste, për disa ditë proteste, unë besoj që për të dyja kemi mjaftueshëm për të festuar sot dhe për të qenë krenarë për çfarë kemi arritur. E çmoj shumë punën e të gjitha zonjave edhe uroj që të ecim përpara me të njëjtin zell që kemi pasur këto kohë. Beteja e vërtetë nuk është në 8 Mars, beteja e vërtetë fillon nesër, kur nuk është festë, kur nuk ka trëndafila, kur beteja për emancipim bëhet akoma më serioze. Megjithatë, e pranoj se në Bashkinë e Tiranës jetojmë dhe e besojmë përditë këtë realitet sepse për shumë nga angazhimet e kartës, jemi një hap përpara”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por edhe tani në Bashkinë e Tiranës, është përpjekur që vendimmarrjet t’i orientojë drejt lehtësimit të barrës së gruas në familje, duke i dhënë më shumë mundësi për të qenë e barabartë me burrat në jetën publike dhe karrierë. “Mbaj mend sa utopi na dukej tre vite më parë në ministri, kur thamë se do ndryshojmë ligjin e pensioneve dhe brenda ligjit të pensioneve, edhe nenet për lejen e lindjes, që edhe burrat të kishin mundësi ta merrnin atë. Sigurisht, 90% e Shqipërisë u gajas, çfarë po thotë ky që të marrin burrat lejen e lindjes, por ja ku jemi sot! Po shihja statistikat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe shumë burra në Shqipëri kanë përfituar nga ky ndryshim ligjor”, shtoi Veliaj.

Ai tha se sot është fakt që shumica e Këshillit Bashkiak të Tiranës është i përbërë nga gra dhe vajza, ndërsa 65 për qind e stafit të bashkisë janë po ashtu të gjinisë femërore. Duke u ndalur te detyrimet dhe përgjegjësitë që lindin prej Kartës Europiane për Barazi Gjinore, Veliaj shtoi se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që është e mundur për përmirësimin e statusit të gruas në shoqëri dhe për zhdukjen e pabarazisë. Ai theksoi se do të merret çdo vendim i nevojshëm për t’u siguruar për zgjidhjen e këtyre problematikave. “Po t’ju premtoja angazhim etj, etj, do tingëlloja si një politikan i rëndomtë që bën premtime elektorale. Ndaj do të vazhdoj të bëj atë që kam bërë sot, dje, dhe gjithë këtë një vit e gjysmë dhe në ato pika të kartës ku ende nuk kemi performuar mirë, do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë njoftoi edhe nisjen muajin tjetër të procedurave për kreditë e buta për të gjitha ato familje në nevojë. “Nga muaji tjetër do të fillojmë procedurat për kreditë e buta. Momentalisht, Këshilli Bashkiak sapo ka marrë një vendim i cili është zbardhur për rreth 1 mijë kredi të buta. Besoj se paqja mendore e një gruaje që është në shtëpi të vet dhe që s’duhet të mendojë se kur do të zërë rrënjë ajo familje, është e pakrahasueshme me ato para që kemi vënë mënjanë për çështjen e kredive të buta”, u shpreh Veliaj.

Ndërkaq, David Saunders, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri tha: “Jam i ndërgjegjshëm se për Bashkinë e Tiranës ky nuk është thjesht një nënshkrim, por një hap tjetër në përkushtimin e vazhdueshëm për të siguruar shërbime sociale efektive dhe zhvillim, në mënyrë që të gjitha gratë, burrat, vajzat dhe djemtë të përfitojnë në mënyrë të barabartë, teksa nevojat e tyre të ndryshme merren në konsideratë”.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali theksoi se Karta Europiane për Barazi Gjinore synon të përmirësojë situatën e gruas në shoqërinë shqiptare, përfshi edhe atë në jetën e qeverisjes vendore, si hallka më e afërt e qeverisjes dhe marrëdhënieve me qytetarët. “Karta Europiane për Barazi kërkon që hapa konkrete për të afruar barazinë e burrave dhe grave dhe me gjithë hapat dhe rastet e shumta të njohjes zyrtare dhe përparimin e bërë, barazia e grave dhe e burrave në jetën e përditshme, ende nuk është bërë realitet. Gratë dhe burrat nuk gëzojnë të drejta të njëjta në praktikë, ende vazhdojnë të ekzistojnë pabarazi shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, prandaj firmosja e kësaj karte, është një nga mjetet që jo vetëm në praktikë, por paraqet vlera bazë për të arritur drejt kësaj barazie”, tha Paskali.

Karta Evropiane për Barazi të Burrave dhe Grave në Jetën Vendore u drejtohet organeve të qeverisjes vendore dhe rajonale të Europës, të cilat ftohen ta nënshkruajnë dhe të zbatojnë, brenda territorit të tyre, angazhimet e përfshira në të. Nenet e Kartës Europiane për Barazi, paraqesin masa se si bashkitë dhe qarqet mund të punojnë për përmirësimin e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të kompetencave të tyre. Me nënshkrimin e Kartës Europiane, bashkitë në Shqipëri mund të përfitojë nga praktikat më të mira europiane duke rritur njëkohësisht prezencën e tyre në nivel Europian si dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë gjinore. Deri më sot ky dokument është nënshkruar nga 1500 autoritete vendore dhe rajonale në 33 vende të Europës.

Top Channel