Misioni faktmbledhës i KiE në Tiranë, interesohet për votimin elektronik

27/02/2017 00:00

Bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë nisur misionin faktmbledhës në Tiranë në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile që merren me zgjedhjet.

Në një prononcim për TCH, deputeti gjerman Andrej Hunko nuk dha detaje konkrete për takimet që ka zhvilluar me politikën shqiptare, por tha se do të dalin me konkluzione pasi t’i kenë dëgjuar të gjitha palët.

Ndërsa Gerta Meta, nga vëzhguesit vendorë, tha se raportuesit e KiE janë interesuar për kohën dhe mundësitë teknike që të përdoret votimi elektronik më 18 qershor.

Përkundrejt pyetjes nga vëzhguesit vendorë mbi përdorimin e votimit elektronik në Irlandë, Joseph O’Reilly tha se ditën e votimit u detyruan të rikthenin votimin tradicional për shkaqe teknike.

Vëzhguesit vendorë u kërkuan të dërguarve të Strasburgut që të ushtrojnë presionin e duhur mbi komisionin e reformës zgjedhore për dy amendamente: transparencën e fondeve për fushatën elektorale dhe dënimin e shit-blerjes së votave.

“Dy çështje themelore që mund të adresohen për t’u ndryshuar Kodi Zgjedhor për zgjedhjet e 18 qershorit janë pikërisht elementët e korrupsionit zgjedhor, si shit-blerja e votës; dhe mënyra se si do të reflektohen ndryshimet në lidhje me transparencën e financimit të partive politike”, deklaroi Meta.

Në takimin me kryeparlamentarin Meta dhe deputetët anëtarë të delegacionit në KiE janë diskutuar hapat e shpejtë dhe praktikë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe atë elektorale, pasi Shqipëria është ende nën monitorim.

Nga ana e tij Meta tha se duhet transparencë maksimale për zbatimin e besueshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti të ligjit të vettingut.

Top Channel