Një shëtitje kurioze përreth natyrës dhe gjurmëve të saj që përfshin brenda edhe një album herbariumesh, duke hulumtuar anatominë e natyrës.

Është kjo ndjesia që përftohet teksa vëzhgohet ekspozita me foto e artistit Ervin Berxolli.

Një imazh, ku emocionin paraprak nuk mund ta marrësh që në fillim, por sa më shumë i afrohesh, aq më shumë vëren detaje, sepse për të kuptuar foton e tij artisti të imponon kohë.

“Zakonisht kur ti sheh një vepër arti siç është piktura, skulptura, fotografia, imazhin e merr me shikim të parë dhe unë desha që të krijoj një kohë në momentin  ku ti sheh një imazh ta kthej pak a shume në një muzikë që të duhet një periudhe kohe që ta shijosh gjer në fund, nuk mund ta marrësh ndjesinë që në fillim”, tha Ervin Bërxolli, pedagog në Universitetin e Arteve.

Foto-Instalacionet e tij nuk përshkruajnë një vend specifik, ato vijnë si pjesëza të kozmosit ku kontakti me natyrën është i lirë.

“Në fotot e mia nuk kam dashur të tregoj një histori të veçantë, por kam lënë një narrativë të hapur, ku njerëzit mund të krijojnë historitë e veta”, shton Bërxolli.

“Duken gjurmë, të cilat janë gjurmë të natyrës së një ecjeje që kthehet në një ecje filozofike, krijohet një situate ku në pamje të parë duket një foto shumë e thjeshtë, një foto ku gjithsecili nga ne ka cekur me përvojën e tij ka edhe disa nuance te dhunës urbane, të cilat artisti i fut me shumë elegancë”, shprehet kuratori Ardian Isufi.

Vëzhgimin obsesiv të kujtesës artisti e sjell përmes këtyre fotove të cilat do t’i ekspozoje për publikun deri në datën 7 mars.

Top Channel