Strehimi i romëve, Veliaj inspekton ndërtimin e banesave sociale

21/02/2017 00:00

Për 6 muaj, 60 familje të komunitetit rom që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit të Tiranës në zonën e Bregut të Lumit, do të sistemohen në 60 banesa të reja sociale, të cilat kanë nisur të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës pranë ish-repartit ushatark në Shkozë.

“Në një qytet të mirë, nuk duhet të zgjedhim midis investimeve dhe zaptimit të territorit për efekt banimi. Ajo që duhet të bëjmë është: edhe investime korrekte, pra disiplinim të gjithë rrjedhës së lumit të Tiranës, që të mos shkaktojë më përmbytje; por edhe banesa sociale për të akomoduar 400 anëtarë të komunitetit rom që sot kërkojnë strehim”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se kushti i vetëm që këto familje të përfitojnë strehim është regjistrimi dhe vaksinimi i fëmijëve.

“E vetmja gjë që duhet të paguajnë familjet është t’i binden Bashkisë së Tiranës për regjistrimin e detyrueshëm në shkollë, kopshte e çerdhe të fëmijëve, për vaksinimin e tyre, sepse fëmijët e shëndetshëm dhe të arsimuar janë një “biletë” që familjet të dalin nga varfëria dhe të mos kenë më nevojë për dorën e bashkisë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku garantoi se çdo zhvendosje e qytetarëve për shkak të projekteve publike do të rekuperohet duke krijuar të gjitha kushtet e nevojshme.

Top Channel