Procesi ndaj gjyqtares Andrea, dëshmojnë kolegët

20/02/2017 00:00

Kolegji penal mori dëshminë e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë në vijim të procesit të hapur prej muajsh kundër gjyqtares Majlinda Andrea, aktualisht e pezulluar nga detyra për shkak se dyshohet për përfshirje në aferë korruptive.

Gjyqtarët e lartë Artan Broci dhe Adir Thanza, të cilët kanë qenë në trupën gjyqësore së bashku me Andrean, folën për çështjen civile të Butrintit, që sipas prokurorisë  u përdor nga pesë të akuzuarit për të marrë drejtësi duke paguar.

Broci, Thanza dhe një ndihmës ligjor kujtuan se çështja civile e tokës në Butrint ishte një çështje normale, e cila kishte ndjekur procedurën standarde të gjykimit.

“Ne nuk kemi patur asnjë ndikim në këtë dosje dhe me përjashtim të Majlinda Andreas, që e kemi patur kolege, të pandehurit e tjerë nuk i njohim”, pohuan gjyqtarët.

Dëshmitarët u kërkuan nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili me sa duket do të zbërthejë përpara kolegjit penal dyshimet e tij se si tre të pandehurit Eleni Lino, Petraq Dashi dhe Ilia Çabiri paguan përmes bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 50 mijë eurosh për të marrë një konfirmim nga drejtësia për pronësinë e truallit në Butrint.

Ndërkohë, gjykata nuk u shpreh nëse do ta lehtësojë apo jo masën për Ilia Çabirin, i cili pretendon se ka shqetësime shëndetësore, pasi eksperti mjekësor duhet të pajiset me leje për të hyrë në burg.

Top Channel