Kakavijë, grekët sekuestrojnë 700 kg hashash

17/02/2017 00:00

Një sasi prej afro 700 kilogramë kanabis u sekuestruan gjatë orëve të natës në pikën kufitare të Kakavijës në pjesën greke të kufirit.

Sipas informacioneve të para, sasia e drogës ishte vendosur në një kamion frigoriferik, pikërisht  pas pjesës së frigoriferit të mjetit.

Ndalimi i drogës u bë rastësisht në momentin që doganieri i turnit i kërkoi drejtuesit të kamionit të hapte kamionin për një kontroll rutinë, por ky i fundit, në vend që të bindej u largua me vrap në drejtim të kufirit të gjelbër, drejtë Shqipërisë. Pas kësaj, autoritet gjetën kanabisin dhe sekuestruan kamionin.

Pas komunikimit me palën shqiptare, është shpallur në kërkim shoferi shqiptar i kamionit. Lidhur me ngjarjen kanë filluat hetimet.

Autoritete greke janë vënë në alarm pasi kohët e fundit po devijohet trafiku i narkotikëve nëpërmjet rrugëve tokësore.

Vetëm një ditë më parë, në Patra u sekuestruan 370 kilogramë kanabis, ndërsa në një operacion në Gumenicë, gjatë orëve të natës, dy shtetas grekë u arrestuan me 125 kilogramë kanabis.

Top Channel