Durrës, shemben 3 katet e fundit të një pallati pa leje

17/02/2017 00:00

Tre katet e sipërme të një objekti 24-katësh janë shembur këtë të premte në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.

Katet kanë qenë të papërfunduara për shkak se pronarit të objektit, Enver Shala, i qenë pezulluar punimet për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit.

Ndonëse pjesë të konstruksionit kanë rënë nga lartësia, ato nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz, kjo edhe për shkak të frekuentimit të ulët të zonës në këtë periudhë të vitit.

Policia vendore bëri të ditur se po kryhen veprime proceduriale në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë të shoqëruar, ndonëse kompania e ndërtimit e ka për detyrë të marrë masa për të shmangur incidente të kësaj natyre.

Biznesmeni i ndërtimit që ka këtë objekt është proceduar disa herë penalisht, ndërsa godinat e ndërtuara prej tij janë bërë objekt i diskutimeve ligjore dhe administrative për shkak të cënimit të ligjeve në fuqi dhe rrezikshmërisë së paraqitur për shkak të mosrespektimit të kateve të lejuara.

Në vitin 2015 Gjykata e Durrësit e dënoi me 1 vit burg biznesmenin Shala, duke e shpallur atë fajtor për veprat penale të “ndërtimit të paligjshëm në tokë në pronësi të shtetit”, objekt i cili u prish me shembje të kontrolluar më 29 maj 2014 dhe për të cilin u arrestua në qershor të po atij viti; si dhe për “vjedhje të përsëritur të energjisë elektrike” në objektin shumëkatësh në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës, 3 katet e të cilit u shembën sot.

Në maj të vitit të kaluar Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi këtë vendim të ankimuar nga të dyja palët, ndonëse Shala nuk bëri asnjë ditë burg, pasi në vuajtjen e dënimit me burgim iu llogarit dhe koha e qëndrimit me masë sigurimi personal “arrest shtëpie”, vendosur nga Gjykata e Durrësit disa ditë pas arrestimit të tij nga policia në qershor 2014.

Top Channel