Blair nuk dorëzohet, fushatë anti-Brexit

17/02/2017 00:00

Ish-kryeministri laburist britanik, Tony Blair ka shkaktuar një debat të madh politik, duke i kërkuar dhe bërë thirrje kundërshtarëve të “Brexit” që të ngrihen në këmbë dhe të bindin votuesit e tyre, që të ndryshojnë mendim në lidhje me daljen e Britanisë nga BE-ja.

Edhe pse duket i pamundur si opsion, në një thirrje drejtuar deputetëve dhe lordëve britanikë proeuropianë, Blair ka kritikuar ashpër kryeministren aktuale Theresa May se po ndjek rrugën e “Brexit”-it me çdo kusht.

Tony Blair, i cili është pro mbajtjes së një referendumi të dytë për këtë çështje, ka paralajmëruar se nëse gjërat nuk ndryshojnë, kjo mund të çojë në pavarësinë e Skocisë dhe largimin e saj nga Britania.

Ai premtoi se do të bëjë fushatë për mbajtjen e Britanisë në BE, e analistët mendojnë se fjalimi i tij do të shihet si një sinjal që ai kërkon të krijojë një parti të re politike pro qëndrimit në BE, e përbërë nga mbështetës të Blairit, liberaldemokratë, e madje edhe disa nga deputetët konservatorë proeuropianë.

Kjo lëvizje e ish-krymeinistrit laburist më të suksesshëm të të gjitha kohërave, duket se e vendos atë në një kurs përplasjeje me udhëheqësin aktual laburist, Jeremy Corbyn, i cili javën e kaluar urdhëroi deputetët laburistë që të votonin pro ligjit të qeverisë për aktivizimin e “nenit 50” të Traktatit të Lisbonës, që shënon fillimin zyrtar të procedurave të divorcit politik dhe jo vetëm mes Britanisë dhe Bashkimit Europian.

Top Channel