9 vjet shtet, Kosova feston Pavarësinë

17/02/2017 00:00

Kosova feston sot 9-vjetorin e pavarësisë nga Serbia. Gati një dekadë më parë, përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të saj, me përjashtimin e atyre serbë, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, duke përmbushur kështu dëshirën më të madhe të shqiptarëve atje.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Isa Mustafa i përcolli një urim të gjithë qytetarëve, duke mos harruar të përmendë dhe kryetarin e AAk-së, Ramush Haradinajn, të mbajtur në Francë prej një mandat-arresti të Serbisë. “Ia uroj në mënyrë të veçantë këtë përvjetor ish-kryeministrit Haradinaj, i cili është ndaluar me të padrejtë mbi bazën e një fletë-arresti të serbëve që kryen krime sistematike në Kosovë. Vlerat e lirisë dhe të shtetit të pavarur, sikurse edhe e vërteta, janë përherë ngadhënjyese. Ashtu siç është Kosova”, lexohet në mesazhin e tij.

Që nga 17 shkurti 2008 e deri më tani, Kosova është njohur nga 113 vende të botës dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, por jo në OKB. Edhe pse prej vitesh është përfshirë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia e përsërit vazhdimisht se nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet. Në 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenca e Kosovës ka marrë urime nga shumë presidentë të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më i veçanti dhe të cilin e publikoi Presidenti Hashim Thaçi, ishte urimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Kosova, SHBA-në e konsideron aleat të përjetshëm. Urime kanë mbërritur edhe nga Mbretëresha Elizabeta II si dhe Presidentja e Konfederates Zvicerane, Doris Leuthard, e cila shprehu bindjen se besimi reciprok dhe miqësia mes dy shteteve do të thellohen akoma më shumë.

Top Channel