Kapet banda e Rinasit. Dy, ish-komando në Afganistan

14/02/2017 17:50

Realizuan 2 supergrabitje, morën mbi 7 milion euro por parajsa e tyre e vjedhur zgjati vetëm 14 muaj. Në fund, katër anëtarë nga gjashtë të bandës së Rinasit, përfunduan në prangat e policisë.

Aventura 2-vjeçare e grupit kriminal që sulmonte dhunshëm paratë e bankave që kalonin në rrugën e Rinasit, përfundoi pasditen e të martes.

Në një operacion të shtrirë në disa zona, Vorë, Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë, policia arrestoi 4 nga 6 grabitësit, mes tyre edhe ish-komando që kishin operuar në Afganistan, çka shpjegon edhe saktësinë e tyre operacionale në grabitje.

“Pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej impklikimi i të paktën 6 shtetasve të mëposhtëm në këto 2 ngjarje: Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish-punonjës  në ShPSF, “Rogat”, Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në forcat ushtarake, Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit, Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Përveç grabitjes së dhjetorit 2015 dhe atë të enjtes së kaluar, ky grup kriminal është i dyshuar edhe për grabitjen e një banke të nivelit të dytë pranë Stacionit të Trenit në kryeqytet, ku u morën më shumë se 3 milionë euro. Një pjesë e këtyre parave janë kapur gjithashtu.

“Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikane, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare, kartmonedha këto të deklaruara në transportet monetare të vlerave të bankave respektive. Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto dy ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë”, shpjegoi Hodaj.
 
Për kapjen e dy anëtarëve të tjerë të bandës së grabitësve të shpallur në kërkim, policia ka ushtruar kontrolle në rrethinat e Tiranës, ndërsa njëri prej tyre arriti të largohej nga banesa pak minuta para se forcat speciale të mbërrinin në vilën ku ai fshihej në Prezë.

Përfundon kështu aventura e kësaj bande që tronditi kryeqytetin dhe opinionin publik për më shumë se një vit me operacionet e saj të rrezikshme, por edhe spektakolare, çka shtoi presionin edhe atë politik mbi ministrin e Brendshëm. Por tashmë gjithçka përfundoi.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel