Veliaj përuron parkingun e ri publik te Qyteti Studenti

12/02/2017 00:00

Përveç terminalit të autobusëve tek sheshi “Shqiponja”, Bashkia Tiranë ka hapur një të ri në Qytetin Studenti, për të gjitha linjat që operojnë në zonën e juglindjes.

Por, ky ambient do të shërbejë edhe si parkim publik që do të administrohet nga “Tirana Parking” dhe do u kushtojë qytetarëve më pak sesa të parkojnë në rrugët e kryeqytetit.

“I kemi dhënë përgjigje shqetësimit të shumë qytetarëve që jetojnë në “Qytetin Studenti”, atyre që vizitojnë fëmijët e tyre këtu, që frekuentojnë fakultetet në këtë zonë apo që vijnë për vrap nga liqeni, duke aplikuar tarifën më të ulët sot në Tiranë: tre orë/50 lekë. Ambienti është shumë më i pastër dhe ka një rol të dyfishtë: gjysma ka 100 vende parkimi për qytetarët, profesoratin, vizitorët në “Qytetin Studenti”, për vrapuesit nga liqeni, kurse gjysma tjetër është një terminal i përkohshëm për linjat e Pogradecit, Librazhdit apo Korçës”, tha Veliaj.

Ky shesh më parë administrohej nga privatët, të cilët e kishin zënë sipërfaqen dhe i tarifonin ata që parkonin aty sipas dëshirës. Sot, gjendja paraqitet shume më ndryshe.

“Ky shesh ka qenë shumë i ndotur, ishte pamja e parë në hyrje të vendit ku jeton e ardhmja e Shqipërisë. Një shesh me mbeturina, me papastërti dhe inerte, çka binte në kontrast me çfarë po përpiqemi të kultivojmë me studentët që jetojnë këtu. Por, dua të ftoj të gjithë qytetarët që të mos parkojnë më te liqeni! Le të përdorin sa më shumë këtë ambient, ta lënë makinën këtu. U bën mirë për shëndetin, por edhe ulin trafikun e panevojshëm”, deklaroi Veliaj.

Top Channel