Tiranë, 5 të arrestuar për 30 kg hashash. Sekuestrohet armë pa leje

12/02/2017 00:00

Policia e Tiranës ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Qelqi” gjatë mbrëmjes së të shtunës, duke arrestuar 5 shtetas, një sasi prej 30 kg lëndë narkotike e dyshuar si cannabis sattiva, si dhe një armë pa leje të tipit “shotgun”.

Në pranga ranë Ilir dhe Fabian Zyberi (Avdillari), respektivisht 46 vjeç dhe 20 vjeç nga Tirana, me shtetasin e parë të dënuar edhe më parë; 32-vjeçari Gentian Boci dhe 24-vjeçari Odisjen Sakollari, si dhe adoleshenti 17-vjeçar D.A., që të gjithë banues në kryeqytet.

Arrestimi i tyre ka ardhur pas dyshimeve se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike të llojit hashash në zonat e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit.

Sipas informacioneve që kishte policia, këta shtetas mbanin një sasi të konsiderueshme hashashi të fshehur në banesën e shtetasit Ilir Zyberi, prej nga ku bënin edhe shitjen e saj. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 5 thasë me lëndë narkotike cannabis, një armë e llojit “shotgun”, 3 telefona celularë, një palë pranga dhe një mjet i ftohtë thikë.

Materialet hetimore për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike në bashkëpunim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Top Channel