Vettingu, 100 kandidatë. Totozani takon ONM, aplikimet deri në mesnatë

09/02/2017 00:00

Ora 20.30 e mbrëmjes është afati i fundit për kandidatët për të aplikuar pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, për organet e Vettingut ndërsa mesnata është limiti për ata që aplikojnë online. Edhe në orët e fundit, interesi është i lartë.

Apelit të Igli Totozanit ditët e fundit iu bashkuan edhe ambasadori amerikan Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ambasadorja e BE dhe rezultati i kaloi pritshmëritë, duke bërë që numri i të interesuarve t’i kalojë 100.

“Sot mbyllen të gjitha afatet, edhe i dorëzimit dorazi deri në 20.30, nëpërmjet emailit në 23.59 dhe e postës. Nesër ose pasnesër do presim kandidaturat me vulat e postës. Ka shumë njetrëz që kanë shprehur interesin për organet e drejtësisë, i kanë kaluar 100”, thotë Totozani.

Nga e premtja, institucioni i Avokatit të Popullit do të vijojë me verifikimin e dokumentacioneve të dorëzuara për t’ia dërguar më pas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Kemi një javë kohë në dispozicion sic parashikon ligji, për të bërë verifikimin e dokumentacionit për secilin që ka shprehur interes dhe do ndërtojmë 2 lista, atyre që i plotësojnë kritikeret dhe ata që nuk i plotësojnë. Kjo është pjesa jonë. Më pas këto lista dhe dokumentacioni i dërgohet ONM-së, që ka 14 ditë kohë për të bërë verifikimet e duhura dhe më pas na i rikthen sërish ne me rekomandimet përkatëse që do të përgatisi dhe ne pastaj ja dërgojmë parlamentit”, vijon më tej Totozani.

Por sërish puna nuk përfundon këtu. “Janë paralelisht disa procese që po ndjek institucioni i Avokatit të Popullit. Është procesi i Vettingut, pra 7 ditëshi jonë, paralelisht sot mund të bëhet publike lista e shoqatave që do marrin pjesë në komisionin e verifikimit të shoqërisë civile për anëtarë të KLGJ dhe KLP, anëtarët që do përzgjidhen nga shoqëria civile. Më pas Avokati I Popullit duhet të ngrejë 2 komisione AD HOC, jemi në hapat e fundit edhe në këtë drejtim, për zgjedhjen e kandidaturave që vijnë nga rradhët e avokatëve, qoftë në KLGJ qoftë në KLP. Këto dy komisione do shqyrtojnë kandidaturat edhe nga rradhët e avokatisë. Pastaj ka edhe detyra të tjera në reformën në drejtësi, monitorime, rol vëzhguesi, kjo puna administrative vazhdon ende në disa plane”, thotë Avokati i Popullit.

Nga mbi 100 aplikantë, vetëm 27 do të përzgjidhen, nga të cilët 4 për komisionerë publikë, 14 për komisionin e verifikimit dhe një trupë gjykuese prej 7 vetësh në Kolegjin e Apelimit.

Top Channel