Vaditje me matësa. Rama: Ujë për çdo parcelë

09/02/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në zonën e Myzeqesë për të parë nga afër disa projekte. 400 km kanale kulluese dhe vaditëse formojnë në Lushnje dhe Divjakë “unazën bujqësore”.

“25 vjet, 25 kanale nuk janë bërë”, tha një banor.

Por, ajo çka përbën risi në këtë investim është pajisja e çdo fermeri me matës, çka do të sjellë edhe menaxhim më të mirë të burimeve ujore.

“Në këtë rajon, ku kemi bujqësinë më intensive, për herë të parë në Shqipëri, ne do të bëjmë vaditjen me matës, që gjithësecili ta dijë se sa ujë merr e se sa ujë harxhon. Është një inovacion që ne duam ta shtrijmë edhe më tutje”, tha Rama.

Ky është një transformim rrënjësor shtoi Rama, që përveç lehtësirave për fermerët e bujqit, ka sjellë edhe punësimin e banorëve të zonës, ku deri tani janë punësuar 250 të tillë e deri në përfundim prentendohet të merren në punë 600 veta, përfshi punësimin sezonal.

Investimet përfshijnë gjithashtu edhe ujësjellësin e ri, punimet për të cilin përfundojnë në tetor të këtij viti dhe i japin zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për 22 mijë banorët e zonës së Çermë-Sektorit.

Kryeministri vizitoi nga afër ambientet e rikonstruktuara plotësisht të shkollës së Çermës dhe Këmishtajt, që do i shërbejnë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit.

“Që nga dita e parë që është bërë, shkolla nuk ka pasur kurrë ngrohje. Veç palestrës, do jetë edhe një fushë multifunksionale, ndërkohë që do jetë edhe lulishtja e brendshme e shkollës, këndet e basketbollit, volejbollit”, shpjegoi Braçe.

Top Channel