Top Story, “deja vu” e Rinasit, kush e ka fajin?

09/02/2017 00:00

Grabitja e kësaj të enjteje ishte e treta e ndodhur thuajse në të njëjtin vend dhe me të njëjtin skenar. Por kush janë përgjegjësitë në këtë zinxhir marrëdhëniesh mes kompanive të ruajtjes, atyre të sigurimit, bankave të nivelit të dytë dhe shtetit?

Për këtë folën këtë të enjte në Top Story të ftuarit, ish-policë, policë, drejtues të kompanive të ruajtjes dhe të sigurimit dhe gazetarë.

Kadri Morina, President i grupit Insig/Eurosig fajin ua la bankave.

“Është faji i institucioneve bankare të nivelit të dytë. Ne i sigurojmë bankat, por habitem që bankat kanë rënë në këtë nivel të sigurimit të monedhave. Standardet e sigurisë së bankave në Kosovë janë siç i kanë në Londër. Sot GPS është një metodë e para 10-15 viteve e detyrueshme kudo. Sot duhet të ishte ngjyrosësi që në momentin që hapet thesi dhe preket GPS plas dhe bën të papërdorshme kartmonedhat dhe lënë gjurmë tek grabitësit”, tha ai.

Pasoja e parë e këtyre grabitjeve bie mbi kompanitë e sigurimit, që siç tha Morina, vetë i risigurojnë këto para në kompani të huaja.

“Shqipëria po kalon tek pulla e kuqe për risigurimin e “transit cash” nga kompanitë siguruese dhe risiguruesit i kanë rritur shumë taksat ndaj kompanive shqiptare dhe ne sot e kemi risigurimin në një masë dhjetëfish”, deklaroi ai.

Gazetari investigativ Artan Hoxha tha se faji dhe përgjegjësia është zinxhir.

“Niset që tek momenti i licensimit, i dhënies së lejes te kompanitë e sigurimit, mjetet që kanë në përdorim bankat. Kjo është pjesa e Drejtorisë së Policisë së Shtetit duhet të jetë rigoroze dhe nuk duhet t’i dorëzohet presionit.  Them nuk duhet t’i dorëzohet presionit sepse shumica e kompanive janë në pronësi të ish-punonjësve të policisë dje dhe sot”, tha ai.

Ai ka mveshur me përgjegjësi edhe shoqëruesit e dërgesës.
 
“Në vendngjarje unë kam parë mbi 100 gëzhoja dhe nga këto asnjë e shtënë nuk ka dalë nga armët e punonjësve të sigurisë”, deklaroi Hoxha.

Edhe Aleks Hajdari nga Shoqata e Policie Private fajësoi bankat. Ai tha se grabitje në përmasa të tilla nuk mund të ndodhin pa rrjedhje informacioni nga vetë banka.

“Të gjithë kanë përgjegjësinë e vet, duke filluar nga banka, sepse nuk ndodh një grabitje e tillë pa patur një informacion të brendshëm. Policia private merr njoftim për ngarkesën, por nuk di sasinë e lekëve dhe mungesa të bën të dyshosh që punonjësit e policive private nuk mund të jenë në bashkëpunim me grabitësit, por mund të bashkëpunojmë me punonjës të bankës”, u shpreh ai.

Top Channel